×
  • Lajme
  • Lajme

    “16 modele në tavolinë”, “S’lejojmë Republikë serbe në tokën e Kosovës – të gjitha deklaratat për Asociacionin gjatë kësaj jave

    Reporteri
    04 Mars 2023 | 16:42

    Të hënën për herë të parë është bërë publik edhe zyrtarisht plani i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

    Kjo, pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel, ku ndonëse nuk u nënshkrua asgjë, palët u pajtuan për tekstin e marrëveshjes.

    Bashkimi Evropian tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, gjë që do të kërkojë më shumë bisedime.

    Por në anën tjetër, opozita po konsideron se kjo marrëveshje është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut me Serbinë për shkak të, siç u tha, neutralitetit ndaj statusit të Kosovës si dhe dështimit për një marrëveshje reciproke, e në anën tjetër pranimit të Asociacionit.

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme tha se prej pikave më të diskutuara, që është Asociacioni, Kosova nuk duhet të ketë frikë, pasi shtoi se ekzistojnë 16 modele funksionale që dëshmojnë qartë që një bashkësi e tillë nuk cënon funksionalitetin e shtetit.

    Lajçak, Asociacionin e komunave me shumicë serbe e konsideron si obligim ndërkombëtar i Kosovës, që ka ekzistuar gati dhjetë vite, e jo si diçka që është “zbuluar” së fundmi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Le të fillojmë me fakte. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit e cila është arritur dhe nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013; i njëjti është ratifikuar në Kuvend, që nënkupton se është obligim ndërkombëtar i Kosovës. Pra, nuk është diçka që është zbuluar dje ose vitin e kaluar, është diçka që ka ekzistuar për gati 10 vjet. Prandaj dhe duhet të implementohet”, deklaroi Lajçak në intervistë për Atlantic Council.

    Ai tha se do kishte dashur që të ketë më tepër diskutim mbi Asociacionin brenda kornizave të dialogut, sesa deklarata të karakterit publik.

    “Ne kemi përsëritur në dokumentet tona që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara paraprakisht duhet të implementohen. Kushti në fjalë [Asociacioni] ka marrë vëmendje të madhe dhe po diskutohet shumë në diskursin publik. Do të doja të shihja më pak diskutim publik, ndërsa më tepër diskutim në kuadër të dialogut, sepse aty duhet të definohen parametrat e Asociacionit”.

    Lajçak tutje theksoi se parametrat e asaj se si do të zhvillohet struktura e Asociacionit do t’i caktojnë vetë Kosova dhe Serbia.

    Sipas tij, ekzistojnë modele ekzistuese evropiane të ngjashme me Asociacionin e komunave me shumicë serbe që kanë forcuar funksionalitetin e shtetit, e jo dobësuar atë.

    Se qëndrimi i ShBA-ve për themelimin e Asociacionit nuk ka ndryshuar, por se nuk përkrahin një asociacion që cënon shtetësinë e Kosovës, e tha këtë javë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovernier.

    Në deklarimin e tij, ambasadori amerikan theksoi se ShBA-të nuk mbështesin asociacion që bie ndesh me Kushtetutën ose vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, Hovenier tha se as që bëhet fjalë për një asociacion që i ngjan Republikës Serbe.

    “Dua të jem shumë i qartë dhe e kam thënë këtë shumë herë tashmë dhe me siguri do ta them prapë: Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që shkel Kushtetutën e saj; Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, deklaroi Hovenier në Debat Plus të RTV Dukagjinit.

    Sipas Hovenier, ShBA-të vazhdojnë të besojnë se themelimi i Asociacionit mbetet çështje kritike për Kosovën. Kësaj ia shtoi edhe faktin se ishte vetë Qeveria e Kosovës, që në vitin 2015, e nënshkroi asociacionin përmes Marrëveshjes së Brukselit.

    “Arsyeja përse mendojmë se kjo është kritike është se bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara, besojmë se ka nevojë që Kosova së pari aktualisht t’i përmbushë zotimet që i ka marrë, e AKSHS është zotim i marrë nga Qeveria e Kosovës përmes Marrëveshjes së Brukselit, por gjithashtu, besojmë se është thelbësore për përpjekjet efektive të qeverisë së Kosovës për të adresuar shqetësimet e komunitetit të vet entik serb. Ata kanë e kërkuar këtë”, tha ai.

    E  ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se pas dakordimit në Bruksel, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “më urgjente”.

    “Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe ka disa arsye për këtë, njëra prej tyre është se çështja ekziston për 10 vjet, dhe së dyti, mendoj se nëse fillojmë me të, njerëzit (serbët e Kosovës) do të kthehen në institucione. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të qetësojmë të gjithë situatën, sepse është e nevojshme”, ka thënë Hill gjatë kësaj jave.

    Sipas tij, Bashkimi Evropian ka investuar shumë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që ka rëndësi historike.

    “Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani dhe nuk mendoj se duam të ecim me ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt”, ka theksuar ambasadori Hill.

    E për ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës.

    Ai ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

    “Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”.

    “Ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi”, ka thënë ambasadori Rohde për RTK-në.

    Ambasadori ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja për palën që nuk i përmbahet zotimit.

    Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kreu i Qeverisë, Albin Kurti tha se s’do të negocionte për diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa theksoi se nuk do të bënte gabimet e qeverive të kaluara, pasi siç ai gjatë kësaj jave, do mundohet vetëm t’i eliminojë gabimet e së kaluarës, ose t’i reduktojë ato.

    “Gabimet e qeverive të kaluara nuk do të përsëriten, do bëj përpjeke që ato gabime t’i eliminojë, ose t’i reduktojë që mos të jenë pengesë për karakterin e Kosovës. Shume detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndosh e ka lehtë ti kuptoje ato”, tha kryeministri.

    Lidhur me gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit, Kurti tha se nuk ka ndryshuar qëndrim, koncept e as qëllim, dhe se gjithçka ka thënë vlen ende.

    “Çka kam thënë për Asociacionin e 6 kushtet gjithçka vlen, po e ritheksoj që nuk kam ndryshuar as në koncept e as në qëllim e as në kuptim. Kam shprehur kritikë të komunave mbi bazë etnike e tash po dëshirohet të kalohet edhe në një stad tjetër, duke u thirrur në marrëveshjen e vitit 2013”, tha Kurti në Kuvend./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!