Gjashtë gra janë vrarë vetëm gjatë vitit 2020 në Kosovë, ndërsa shumë të tjera i shpëtuan tentimvrasjes në nëntë muajt e fundit.
Sipas të dhënave nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës, që nga fillimi i vitit 2020 janë vrarë gjashtë gra, shkruan Reporteri.net.
Gazeta Online “Reporteri.net”, mëson se nga totali i numrit të vrasjeve, katër prej tyre Policia e Kosovës i cilëson si vrasje, ndërsa dy të tjera si vrasje e rëndë.
Rajoni në të cilin janë raportuar më së shumti vrasje, është rajoni i Gjilanit me gjithsej tri vrasje, në rajonin e Prizrenit dhe Ferizajt nga një vrasje.
Ndonëse rastet e dhunës në familje të cilat përfundojnë me fatalitet në Kosovë janë të shpeshta, dënimet që marrin dorasit nuk janë shumë të pranuara për shoqërinë kosovare.
Së fundmi reagime të shumta ngriti vendimi për uljen e dënimit të Pjetër Ndrecajt, burrit që vrau bashkëshorten e tij, Valbona Marku dhe vajzën e tyre të mitur, Klara Ndrecaj.
Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, por Gjykata e Apelit atij ia dha dënimin më të lartë në Kosovë, atë me burgim të përjetshëm.
Më pas ishte Gjykata Supreme ajo e cila kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.
Kështu Ndrecajt dje iu shqiptua dënimi me 24 vjet e 6 muaj burgim.
Dënim edhe më të vogël për vrasjen e bashkëshortes së tij, mori Nebih Berisha.
Ai për vrasjen e Zejnepe Bytyqi u dënua me 12 vjet burg, për çka edhe pati protesta nga Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilat protestuan para Pallatit të Drejtësisë duke kërkuar dënimin maksimal për dorasin.
Një rast i rëndë i tentimvrasjes ndodhi pak ditë më parë në komunën e Skënderajt, ku burri theri 11 herë me thikë, gruan e tij, duke i shkaktuar kështu plagë të rënda në trup.
Ndërkohë, gruaja që ka shpëtuar nga 11 plagë, e mori ndihmën e parë në Spitalin e Skënderajt, nga ku u përcoll në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Mirëpo, gjendja e rëndë, bëri që ajo të dërgohet në QKUK.
Aty u operua dhe të dy duart i ka të vendosura në allçi, si pasojë e plagëve që iu shkaktuan nga burri i saj, i cili tashmë është arrestuar. /Reporteri.net