×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    10 gratë e kthyera nga lufta në Siri dhe Irak, viktima të mashtrimit të rëndë në Kosovë – Policia arreston tre persona

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 18:04
    Foto ilustrim

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona nën dyshimin për veprën penale “Mashtrim”. Sipas Policisë, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

    Të dyshuarit dyshohet se kanë mashtruar dhjetë gra, ish-pjesëmarrëse në konfliktet në Siri dhe Irak, duke u premtuar donacione në emër të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.

    Gratë janë bindur të aplikojnë për kredi, por në fakt kanë nënshkruar kontrata për kredi me vlerë nga 4,500 deri në 5,000 euro.

    Sipas Policisë, i dyshuari me iniciale R.D. ka identifikuar viktimat dhe i ka dërguar ato në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë për aplikim. I dyshuari me iniciale V.G., punonjës i këtij institucioni, ka përgatitur dosjet dhe kontratat, ndërsa i dyshuari A.H., menaxher i institucionit, ka aprovuar kreditë.

    Pas marrjes së mjeteve në llogaritë bankare të viktimave, R.D. i ka shoqëruar ato në banka për tërheqjen e parave. Më pas, secilës viktimë i janë dhënë nga 500 euro, ndërsa pjesa tjetër e parave është përdorur për pagesa të ndryshme në emër të shërbimeve të ofruara nga zyrtarët e institucionit.

    Viktimat kanë kuptuar se janë mashtruar vetëm kur institucioni mikrofinanciar u ka kërkuar fillimin e pagesave të kredive. Deri tani janë intervistuar 10 persona të dëmtuar, ndërsa vlera totale e dëmit arrin rreth 45,000 euro.

    Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarve R.D. dhe V.G. u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa A.H. është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet dhe masat e tjera po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!