Një 22-vjeçar është paraqitur vullnetarisht në polici dhe ka dorëzuar një armë me gas, lidhur me rastin e përdorimit të armës gjatë një ahengu në Han të Elezit.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, i dyshuari M.M. është paraqitur më 22 korrik, ndërsa arma është konfiskuar në cilësinë e provës materiale.
“Në vazhdën e hetimeve lidhur me një rast të përdorimit të armës gjatë një ahengu në Han të Elezit, që kishte ndodhur më 20.07.2026, më 22.07.2026 është paraqitur vullnetarisht i dyshuari M.M. (22 vjeç), i cili ka dorëzuar një armë me gas”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt.
“Arma është konfiskuar në cilësinë e provës materiale, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Rasti po hetohet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimin e rasteve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, ndërsa ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e dyshimta.