Përvjetori i 25’të i fillimit të bombardimeve ndaj caqeve serbe për të ndalë krimet dhe pastrimin etnik që po kryhej në Kosovë është shënuar nga institucionet e vendit kryesisht me anë të postimeve në rrjetet sociale.
Një të tillë e ka bërë edhe Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila në një postim në X 24 Marsin e vitit 1999 e quan Ditë të Shpresës.
” Gjithmonë falënderues”, shkruan Ambasada e Kosovës.
Njëzet e katër marsi i sivjetmë shënon 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, e njohur gjerësisht si NATO, kundër objektivave ushtarake dhe policore jugosllave në territorin e Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore ndaj Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, nisën pas dështimit të negociatave të vitit 1999 për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, teksa pala serbe refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për paqe në Rambuje.
Bombardimet, që zgjatën 78 ditë, u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte administrimin e Kosovës nga një mision i OKB-së.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mundësoi edhe kthimin e më shumë se 800 mijë refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Intervenimi i NATO-s shënoi fillimin e fundit të regjimit serb mbi Kosovën.
Vite më vonë, më 17 shkurt 2008, shpalli pavarësinë e saj.
Aktualisht, në Kosovë janë rreth 4.700 trupa të NATO-s, përfshirë forcën rezervë, në kuadër të misionit paqeruajtës, KFOR./Reporteri.net/.