Policia e Kosovës në magjistralen Prishtinë-Ferizaj ka ndaluar ditën e sotme një 24-vjeçar i cili po drejtonte veturën e tij nën ndikim të alkoolit, duke tejkaluar edhe shpejtësinë, në zonën e kufizuar 60 km/h, ai po zhvillonte shpejtësi 145 km/h, shkruan Reporteri.net.
Ndaj tij është shqiptuar gjoba prej 300 euro, tri pikë negative dhe i është marrë leja për tre muaj.
Pak minuta më vonë, i njëjti shofer është kapur sërish nga policia duke zhvilluar shpejtësi 140 km/h, tashmë nën masën mbrojtëse, dhe policia i ka shqiptuar gjobën 500 euro, pesë pikë negative dhe për gjashtë muaj i është marrë leja.
Komunikata:
Ferizaj, 12.06.2024
Dy gjoba ndaj shoferit që shkaktoi dy kundërvajtje në komunikacion brenda një dite në Ferizaj
Policët e Komunakacionit Rrugor me datën 12.06.2024 rreth orës 04:49 në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, saktësisht në fshatin Prelez i Jerlive të Ferizajt kanë ndaluar shoferin H.R(M/K) i moshës 24 vjeçar, i cili me veturë ka tejkaluar shpejtësinë, ku në zonën e kufizimit 60 km/h ka zhvilluar shpejtësi 145 km/h, ndërsa gjatë kontrollimit të dokumenteve dhe testimit me alkooltest ka rezultuar që kishte konsumuar edhe alkool 0.36 promila.
Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit të komunikacionit rrugor, me dënim 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje të patentë shoferit për 3 muaj dhe është përjashtuar nga komunikacioni.
Mirëpo, disa minuta më vonë shoferi i njejtë H.R në fshatin Prelez i Muhaxherëve është ndaluar me shpejtësi 140 km/h, tani nën masën mbrojtëse, heqja e patentë shoferit dhe ndaj tij policët i kanë shqiptuar gjobën e dytë me dënim 500 euro, 5 pikë negative dhe 6 muaj heqje të patentë shoferit dhe i është konfiskuar vetura.
Me këtë rast Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit, të mos bëjnë tejkalime të shpejtësisë dhe të mos drejtojnë veturat nën masën mbrojtëse të dalimit të drejtimit të automjetit.
Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë.