×
  • Lajme
  • Lajme

    25 vjetori i rënies së Agim Ramadanit, bashkëshortja i dedikon një poezi

    Reporteri
    11 Prill 2024 | 11:04

    Në 25 vjetorin e rënies së Agim Ramadanit, bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani ka dedikuar një poezi për të, shkruan Reporteri.net.

    “Me angushti zemre në heshtje këlthas; Ngrihu trimi jem,se bajlozi i zi ende sillet truallit tonë”, thotë një pjesë e poezisë dedikuar Agim Ramadanit.

    Postimi i plotë:

    Në përvjetorin tënd të 25

    Murana jote jam unë

    Rrobat ti palova si dhimbjet e mia,

    me lot ti pastrova e gjakun me u tha se lash

    Si dritën e syrit,buzëqeshjen ne raftin e shpirtit e ruajta!

    Pa lule asnji herë stê erdha, e fjalën dy sta bana kurrë, se si nuse t’fisme e të besës më dashte!

    Te dy lisat e kronit qerpiku më dridhet si teli i qiftelisë e zëri yt i ëmbël n’gurgullimë uji përzihet, trupi më mpihet nga pesha e krahut në belin tim.

    Era luan me pemët e harlisura e gishterinjë lehtas t’ngatërrohen në flokët e mia plot petale.

    Me duart që mi puthje aq shpesh, sot , zgjedhi lule për varrin tënd!

    Shpejt mbuloj tokën që mos ta shoh dheun që gjakun ta thithi ma unshëm se unê dashninë!

    Me angushti zemre në heshtje këlthas; Ngrihu trimi jem,se bajlozi i zi ende sillet truallit tonë!
    Zgjohu,se petka të ngushta po i priten atdheut, eja këtej kah ende tërbueshëm kalërojnë stuhitë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!