×
  • Lajme
  • Lajme

    3 ditë takime, 3 ditë pushime: a do të takohen nesër Kurti e Mustafa?

    Reporteri
    12 Janar 2020 | 16:25

    Të martën, të mërkurën, të enjten kreu i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, ju rikthyen bisedimeve pas një pauze dy javore, ku gjatë kësaj kohe, ata thumbuan njëri-tjetrin për mosarritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë.


    U takuan për tre ditë rend, por nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshje. Krejt çfarë deklaronin pas takimeve ishte: “jemi pajtuar që të takohemi sërish dhe ka lëvizje”. Por të enjten kur ndodhi takimi u fundit mes tyre përveçse u bë e ditur që nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, as Kurti e as Mustafa nuk treguan se kur do të takohen.

    Reporteri.net ka kontaktuar me Lëvizjen Vetëvendosje për të mësuar nëse do të takohen nesër Kurti e Mustafa.

    Arlind Manxhuka, zëdhënës për media i VV-së ka thënë se nuk e di se kur do të mbahet takimi i radhës.

    “Jo nuk kam informacione kur do të takohen Kurti e Mustafa”, ka deklaruar Manxhuka për Reporteri.net.

    Së fundmi është raportuar në media se përveç pozitës së presidentit, pengesë tashmë për arritjen e marrëveshjes mes VV-së e LDK-së është bërë edhe pozita e kryekuvendarit, kjo pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës.

    Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga LDK, por nuk kanë pranuar të flasin.

    VV insiston se nuk ka kthim mbrapa dhe nuk e shkarkojnë Konjufcën, kurse nga LDK zyrtarë të caktuar kanë thënë se kjo pozitë duhet t’iu takon atyre, ashtu siç ishin dakorduar në fillim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!