×
  • Lajme
  • Lajme

    37 profesorë të UP-së janë angazhuar në universitete tjera pa miratimin e Rektoratit

    Reporteri
    15 Gusht 2021 | 12:14

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin për vitin 2020 ka gjetur shumë shkelje të ligjit në “tempullin e dijes”, Universitetin e Prishtinës.


    Sipas ZKA-së, 37 profesorë të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar në universitete tjera të Kosovës, por këtë e kanë bërë pa miratimin paraprak të Rektoratit, ashtu siç edhe e përcaktojnë rregulloret.

    “Ne kemi identifikuar se 37 profesorë të cilët janë në marrëdhënie të rregullt pune me UP-në, njëkohësisht janë të angazhuar me punë sekondare në universitetet tjera publike që funksionojnë në kuadër të MASHTI-t. Për këto angazhime, këta profesorë nuk kishin marrë miratimet paraprake nga Rektori i UP-së. Kjo kishte ndodhur për shkak se profesorët nuk kishin kërkuar miratim për punë sekondare nga menaxhmenti i UP-së në njërën anë, dhe për shkak të monitorimit të dobët nga ana e menaxhmentit të UP-së ndaj personelit akademik në anën tjetër”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Mirëpo, Rregullorja për të ardhura personale të personelit akademik Nr. 2/486 e datës 11.09.2017, neni 6 përcakton se: personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në UP mund të angazhohet me honorar në institucionet tjera, pasi të ketë marrë pëlqimin paraprak nga Dekani dhe miratimin nga rektori i UP-së.

    Të gjithë këta profesorë janë angazhuar në kundërshtim me këtë rregullore, bazuar në të gjeturat e raportit.

    Shqetësuese mbetet fakti, siç evidenton raporti, se “ky angazhim i profesorëve rritë edhe rrezikun e humbjes së cilësisë në procesin mësimor për shkak të angazhimeve të shumta të personelit”.

    UP-ja, gjatë vitit 2020 ka shkelur ligjin edhe te shpenzimet buxhetore, duke kryer pagesa nga kode joadekuate, që kapin vlera qindra mijëra euro.

    Për të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit është pajtuar edhe rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

    Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, ka pranuar draft raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e Pasqyrave Financiare të Universitetit të Prishtinës për vitin 2020.

    “Pas shqyrtimit të të gjeturave dhe reflektimit të pjesshëm të ZKA, në komentet OB-UP-së, pajtohem me gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.

    Kelmendi është zotuar se do të reflektojnë dhe do t’i zbatojnë rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

    “Brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit final, do t’i dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!