×
  • Lajme
  • Lajme

    38 mijë € në bankë, 30 mijë tjera i jep hua- çka deklaroi Prokurori Special Paca që ka veç 33 mijë € pagë vjetore

    Reporteri
    08 Maj 2025 | 18:52

    Që nga vitit 2020 është Prokuror Special, pasi me një dokument të nënshkruar nga Bahri Hyseni,  u avancua nga Departamenti i Përgjithshëm. Paga e tij sillej nga 31 mijë € në vit, e tash është 33 mijë. Dhe, në këtë periudhë Prokurori Special, Dren Paca ka arritur që të deponoi si kursime në bankë 38 mijë euro.

    Po ashtu, nga viti i kaluar thotë se ia ka dhënë edhe 30 mijë euro hua dikujt, që nuk tregon në publik se kujt ia dha.

    Nga Prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prishtinë, që rëndom është pozita më e ulët kur një jurist hyn në sistemin prokurorial, Dren Paca, i biri i ish-Profesorit të Statistikës në Juridik, Agim Paca, ishte ngjitur shpejt në karrierë.

    Me një vendim të nënshkruar nga njëri nga personazhet e “Dosjes së Shefave”,  Bahri Hyseni, ai u tha se përkohësisht po transferohet në Prokuror Special, që është njëra nga pozitat gati më të lartat në po të njëjtin sistem. Më lartë se kaq është vetëm Kryeprokuror i Speciales, ose Kryeprokuror në ndonjë Prokurori Themelore. Edhe Kryeprokuror Shteti.

    I njëjti për pesë vite tashmë e ka të publikuar deklarimin e pasurisë.

    Në deklarimin e fundit, atë të ofruar qasje për publikun e gjerë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurori Dren Paca ka deklaruar se në bankë, të ruajtura si kursime i ka hiç më pak se sa 38 mijë euro ( më saktë: 38,081.19 euro).

    “Pagat, meditje, kompenzim nga kompania e sigurimit, kursime”, është shpjegimi për këtë shumë, ku edhe thotë se janë “të deklaruesit”, në këtë rast të Prokurorit Paca.

    Ai që nga viti 2020, kur bëhet Prokuror Special, ka pasur një pagë vjetore prej 31 mijë eurosh, dhe me ca ngritje, tash merr një pagë vjetore prej 33 mijë eurosh.

    Pavarësisht kësaj, ai ka deklaruar në vitin 2024, dhe tash në vitin 2025, se i ka dhënë dikujt edhe 30 mijë euro të tjera hua. “Huadhënje nga ana ime”, thuhet në përshkrim, por nuk e ka bërë të ditur emrin e personit që ia ka dhënë këtë shumë.

    Insajderi tash e dy javë ka dërguar pyetje tek ky prokuror, për të marr sqarime se si arriti që me pagën vjetore prej 33 mijë eurosh në vit, dhe pagën e bashkëshortes prej 6875 eurosh në vit si punonjëse e Ministrisë së Brendshme, ka arritur që të kursente 68 mijë euro (30 mijë euro huadhënie nga ana e tij, 38 mijë të ruajtura në bankë). Deri tash ai nuk dhënë një përgjigje.

    Ai tutje ka deklaruar se po ashtu për një banesë në Shqipëri, që e kanë blerë bashkë me bashkëshorten, ka edhe një borxh prej mbi 11 mijë eurosh. Ka kohë që ta paguaj deri në shtator të vitit 2026, pasi që kjo banesë prej 65 metrash katrorë. I ka kushtuar krejt 26 mijë euro, diku 400 euro metri katrorë. Banesa gjendet në Shenkoll- Lezhë.

    Në vitin 2020 ai kishte deklaruar se jeton në njërën nga banesat që i kishte deklaruar si të përbashkëta, dhe ato ishin tri: një banesë e ndarë nga BVI “krahinore për punësim Prishtine” e vitit 1985 , dhe dy të tjera të blera me kursimet e prindërve, një në vitin 2001 e një më 2006 nga 75 metra katrorë , por që të dyja i vlerësonte atëherë nga 100 mijë euro secilën.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!