Misioni i EULEX’it thotë se nuk i ka kontrolluar zyrat e OVL të UÇK’së sot gjatë ditës EULEX nuk ka kontrolluar sot në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK’së, për 4 mijë dosjet e Gjykatës Speciale që kanë arritur të hënën në seli. Se kush ka kryer kontrollin nuk kanë komentuar as nga Haga, por vetëm kanë thënë se janë në dijeni për raportimet mediale rreth kësaj teme.
Aksioni i sotëm në selinë e OVL-UCK’së nuk është kryer nga misioni i EULEX-it.
Këtë e kanë thënë për Gazetën Express nga zyra për informim e EULEX.
“EULEX-i nuk e kontrolloi zyrën e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së sot (e martë) dhe nuk mori asnjë dosje”, thuhet në përgjigjen e EULEX.
Ndërkohë, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati ka dhënë detaje për Gazetën Online “Reporteri.net” për bastisjen që i kanë bërë hetuesit e Speciales zyrave të kësaj organizate.
Gucati ka thënë se hetuesit e Speciales kanë marrë një kopje të 4 mijë dosjeve të Gjykatës Speciale që dje një personi i la në zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë.
“Po sot hetuesit e Speciales kanë qenë në zyret e OVL të UÇK-së, ku kanë marrë një kopje të dosjeve që një person i solli dje në zyret tona, poashtu kanë marrë edhe incizimin e kamerave. Interesimi i tyre ka qenë se kush i ka sjellë dosjet. Në zyre kanë qenë 2 policë hetues, dy persona tjerë dhe 1 përkthyese”, ka thënë Gucati për Reporteri.net.
I pyetur se a ka ndonjë dyshim se kush është personi që dje dërgoi dosjet në zyret e OVL të UÇK-së, Gucati tha se nuk ka ndonjë dyshim dhe me këtë duhet të merret organet e hetuesisë.
Një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale ka arritur të hënën në zyrat e OVL-së së UÇK’së në Prishtinë.
Deri më tani, nuk dihet kush e solli, megjithatë, brenda pakos kishte një letër në të cilën shkruante se gjatë ditëve në vijim do të arrijnë edhe 7 mijë dosje të tilla. /Reporteri.net/