×
  • Lajme
  • Lajme

    4 vizita jashtë vendit, Presidentja Osmani shpenzoi 3 mijë e 400 Euro për to nga buxheti i shtetit

    Reporteri
    02 Gusht 2021 | 17:59

    Autor: Besfort Veseli


    Më 4 prill të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 71 vota për, zgjodhi Presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për mandatin pesë vjeçar. Që nga ajo ditë e deri më tani, presidentja Osmani ka zhvilluar disa vizita zyrtare jashtë vendit. Në këto 4 vizita jashtë shtetit, Osmani shpenzoi saktësisht 3 mijë e 397 euro e 95 cent.


    Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar qasje në faturat e shpenzimeve të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të saj, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

    Osmani në vizitën e saj të parë në Slloveni, e cila qëndroi nga 16 deri më 18 maj, harxhoi nga buxheti i shtetit plotë 1 mijë e 52 euro, duke përfshirë akomodimin, drekat, darkat dhe për bileta.

    Ndërkaq, në vizitën e saj në Estoni, për periudhën 9-11 Qershor, ajo shpenzoi më pak se nga vizita paraprake. Pra, vetëm 868 euro duke përfshirë biletat, ushqimin, akomodimin dhe testin e bërë kundër COVID-19.

    Sa i përket vizitës së saj 6-ditore, ku ishte e ftuar me familje në Turqi nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, e para e shtetit harxhoi 491 euro, duke përfshirë vetëm biletën dhe paratë për ushqim, pasi të gjitha shpenzimet e tjera ishin të paguara nga nikoqiri.

    Dyfishimi i harxhimeve krahasuar me Turqinë ndodhi kur shefja e shtetit e vizitoi Austrinë, pasi atje shpenzoi 984 euro e 79 cent.

    Mes tjerash, Stafi i Presidencës në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net” ka njoftuar se janë zhvilluar deri më tani 5 aktivitete (dreka, darka dhe koktej), duke bërë që buxhetit të Kosovës t’i harxhohen 1 mijë e 587 euro.

    Po ashtu, është bërë e ditur se 500 euro ka kushtuar shfrytëzimi i amfiteatrit të Gërmisë në rastin e ceremonies së Lojërave Olimpike. Pra, në total janë shpenzuar 2 mijë e 187 euro për kësi lloj harxhimesh.

     

    I tërë kabineti i Presidentes Osmani për 120 ditë, ka shpenzuar 1 mijë e 123 euro e 82 cent për derivate apo 1 mijë e 96 litra në veturat zyrtare.

     

     

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportuar në vazhdimësi për shpenzimet e parasë publike, kurse në ditët në vijim do t’i publikojë edhe shpenzimet e gjithë ekipit të presidentes Osmani, që nga 4 prilli e deri më tani. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!