×
  • Lajme
  • Lajme

    48 orë nga krimi makabër në Gllogjan, krejt çka dihet deri tash

    Reporteri
    29 Nëntor 2021 | 22:03

    Janë bërë 48 orë që kur një person i maskuar ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan të Deçanit, që si pasojë la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, G.M dhe L.H.

    Për gjetjen e përgjegjësit që ka kryer këtë vrasje të trefishtë, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë thënë që janë mobilizuar, mirëpo edhe pas 48 orëve asnjë i dyshuar nuk është kapur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Derisa hetimet po vazhdojnë, Policia e Kosovës ka përjashtuar mundësinë që ky akt të jetë veprim terrorist.

    “Nuk ka arsye se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Policia ka arsye për të besuar se sulmin e ka kryer një person i vetëm”, kanë thënë nga Policia.

    Ndërkohë Prokuroria e Shtetit është në fazën fillestare të hetimit. Deri më tani ky krim juridikisht është cilësuar vetëm si vrasje e rëndë.

    Ndërsa Prokuroria e Pejës ka arritur të identifikojë një detaj sa i përket armës me të cilën është kryer krimi.

    Sipas kryeprokurorit Agim Kurmehaj karikatori me të cilin është gjuajtur autobusi nuk është shpenzuar i tëri.

    “Në bazë të gëzhojave që janë gjendur ne mund të japin një supozim. Si informatë fillestare dhe në bazë të gëzhojave të gjendura, janë zbrazur diku gjashtë apo shtatë plumba”, ka deklaruar Kurmehaj sot për RTV Dukagjinin, transmeton Reporteri.net.

    Nga Prokuroria Speciale thonë se rasti ende nuk ka kaluar në duar të tyre, por që një gjë e tillë nuk përjashtohet.

    Prokuroria e Shtetit po ashtu ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që për çfarëdo informacioni kanë në lidhje me autorin e krimit t’i informojnë organet e drejtësisë. Madje, është vënë shpërblim 20 mijë euro pë rata që kanë informacione për autorin e veprës.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë sa më parë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!