Gjatë ditës së djeshme është arrestuar kryetari i Istogut Haki Rugova, ish-nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Blakaj dhe zyrtari ligjor, Faton Bujupi.
Arrestimi i tyre është bërë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se të dyshuarit janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Rugova dhe zyrtarët e tjerë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Mund të konfirmojmë se hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) më, 09.10.2020 kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’”, ka thënë për Reporteri.net Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.
Për arrestimin e këtyre zyrtarëve janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Prokurorja kujdestare atje, Valbona Dishaj-Haxhosaj, ka thënë se ata janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit.
“Po mund të ju konfirmoj se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë është arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, nënkryetari i kësaj komune dhe një zyrtar tjetër. Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit” ka thënë Dishaj-Haxhosaj.
Ndërkohë, për avokatin Besnik Berisha, shoqërimi dhe ndalimi në polici i Rugovës është tërësisht i kundërligjshëm.
“Nga ajo që kam perceptuar gjatë intervistimit dhe provat e ofruara nga hetuesit policorë, jam absolutisht i bindur se zoti Rugova nuk ka bërë asnjë krim, përkundrazi ka respektuar në përpikëri ligjet për vetëqeverisje lokale, statutin e Komunës dhe ligjet e tjera në fuqi”, tha Berisha.