×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    7 Marsi, Kurti viziton familjen e mësueses së tij të parë

    Reporteri
    07 Mars 2024 | 13:45

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e 7 Marsit ka bërë një vizitë tek shtëpia e mësueses së tij të parë, ku aty takoi vajzën e saj me të cilën kreu i ekzekutivit tha se kujtuan momente të paharrueshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në Facebook, Kurti ka thënë se mësuesja e tij ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë.

    “Përveçse një buqetë me lule, Afërditës ia dhurova fotografinë e klasës I/4 me mësuesen Nafije, nga qershori i vitit 1982. Mandej nga klasa e dytë fotografitë zënë e bëhen me ngjyra”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

    Postimi i plotë:

    Në mëngjesin e sotëm isha për vizitë te familja Dobruna në Gjakovë, në shtëpinë në të cilën është lindur mësuesja ime e parë Nafije Dobruna Deva. Evokuam kujtime të shumta e të paharrueshme me vajzën e mësueses, Afërditën, në këtë shtëpi të vjetër më shumë se dy shekuj, e ku tani banon kolegu im nga qeveria, Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

    Mësuesja Nafije ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë: sado nxënës i mirë të kesh qenë, asnjë pesëshe nuk ka qenë e kollajshme. Ajo ka dhënë një kontribut të pamatshëm për arsimimin, edukimin e formimin tim, krahasueshëm me nënën time.

    Jeta e saj ka qenë e vështirë. Babai, Ismaili, i internuar për dy vjet në burg në Vjenë si NDSh-ist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës bie në varfëri meqë pushteti i atëhershëm ia rrëmben pasurinë. Ai vdes pak vjet më pas. Nëna, Qazimja i rrit pesë fëmijë jetim. Më e madhja, Nafija, e mbaron Shkollën Normale dhe bëhet mësuese.

    Përveçse një buqetë me lule, Afërditës ia dhurova fotografinë e klasës I/4 me mësuesen Nafije, nga qershori i vitit 1982. Mandej nga klasa e dytë fotografitë zënë e bëhen me ngjyra.
    Falënderoj familjen Dobruna për mikpritjen e përzemërt në Ditën e Mësueses.

    Urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!