×
  • Lajme
  • Lajme

    769 ditë që kur KE tha se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave

    Reporteri
    25 Gusht 2020 | 12:41

    Kanë kaluar më shumë se 2 vjet që kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave.


    Më 18 korrik 2018 KE propozoi që të hiqen vizat për kosovarët pasi ishin plotësuar edhe dy kriteret e fundit, krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

    Por kanë kaluar 769 ditë nga propozimi i Komisionit Evropian kurse i njëjti ende nuk ka kaluar në Këshillin e Bashkimit Evropian aty ku edhe merret vendimi për heqjen e vizave, shkruan Gazeta Express.

    Edhe përkundër rekomandimit të para më shumë se dy viteve, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku akoma është në fuqi regjimi i vizave shengen.

    Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë marrë liberalizimin e vizave para një dekade në vitin 2010.

    Kosova shpreson që gjatë gjashtë mujorit të presidencës gjermane të Bashkimit Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian, pasi Gjermania është shprehur vazhdimisht pro heqjes së vizave për kosovarët.

    Në qershor 2020, deputetët e Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër përmes të cilës i kanë kërkuar kancelares Angela Merkel të vendosë në agjendë të Këshillit Evropian çështjen e libëralizimit të vizave për Kosovën.

    Letrën e kanë nënshkruar 33 deputetë të PE’së nga parti të ndryshme të përfaqësuara në organin ligjvënës të BE’së. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!