×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    83 banorë përfitojnë 34 banesa të reja, Kurti falënderon partnerët dhe ministrinë për Komunitete dhe Kthim

    Reporteri
    01 Maj 2024 | 16:31

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se dje janë ndarë 34 apartamente të reja për 83 banorë të rinj nga komuniteti joshumicë në Suhadoll dhe Graçanicë.

    Kurti tha se është krenar me kontributin e dhënë përmes ministrisë për Komunitete dhe Kthim që ka siguruar bashkëfinancimin në këtë projekt, por edhe për partnerët pa të cilët, sipas tij, nuk do të arrihej ky projekt.

    Postimi i plotë:

    34 apartamente të reja për 83 banorë të rinj dhe mundësi të reja për familjet e tyre në Suhadoll të Komunës së Graçanicës.

    Në Strategjinë tonë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, të cilën qeveria jonë e miratoi katër muaj më parë, ishim zotuar për mbylljen e qendrave kolektive dhe zëvendësimin e tyre me hapësira të reja banimi sikurse këto që përuruam dje. Duke u ofruar kështu një jetesë më të mirë dhe vendbanim afatgjatë bashkëqytetarëve tanë nga radhët e komuniteteve joshumicë.

    Jemi krenar me kontributin tonë përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që ka siguruar bashkëfinancimin në këtë projekt, por edhe mirënjohës për partnerët tanë, pa të cilët nuk do të arrihej ajo që dje e festuam. Zyra e BE-së në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm financiar. Komuna e Graçanicës ka dhuruar tokën dhe ka ndihmuar në projektimin e hapësirave komunale dhe zonave rekreative.

    UNHCR-ja dhe partneri i tyre zbatues, Advancing Together, i kanë mbështetur të gjithë këto familje përmes vlerësimit dhe përzgjedhjes, dhe Këshilli Danez për Refugjatët e ka bashkërenduar procesin gjatë gjithë kohës. Ky lloj partneriteti – ndërmjet qeverisë qendrore, qeverisjes lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile – është ajo çfarë i bën komunitetet e suksesshme dhe të qëndrueshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!