×
  • Lajme
  • Lajme / Votimi në Asamblenë Parlamentare

    A do ta kalojë sot Kosova sfidën e parafundit drejt anëtarësimit në KiE

    Reporteri
    16 Prill 2024 | 9:20
    Selia e Këshillit të Evropës, në Strasburg. Fotografi nga arkivi.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    PACE  bën të ditur se në mbledhjen e martës Kosova është pikë e parë e agjendës dhe do të diskutohet nga ora 10:30 deri në ora 12:30.

    Sipas agjendës së publikuar afati për paraqitjen e ndonjë amendamenti ka përfunduar të hënën, më 15 prill në ora 10:00.

    Ndërkohë, Besnik Tahiri, pjesë e delegacionit të Kosovës ka shkruar  se nga ora 10:30-12:30, Komiteti për Politikë dhe Demokraci,do të diskutojë për raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin do të flasë raportuesja për Kosovën, znj. Bakoyannis. Në këtë takim do të paraqiten edhe dy raportet e tjera të dy komiteteve që kanë ndihmuar në hartimin e opinionit konsultativ.

    Ai ka thënë se procesi i votimit në tërësi do të jetë sfidues, disa vende si Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit të Kosovë, por thotë se beson në verdikt pozitiv, pasi që mbështetja e vendeve mike është e parezervë ndërsa angazhimi i Delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz.

    Tahiri ka bërë të ditur se pas diskutimit në Komitetin për Politikë dhe Demokraci,  rreth orës 16:00, do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në këtë sesion do të diskutohet raporti i Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë.

    “Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithësej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që na kanë njohur, ndërsa 14 që nuk na kanë njohur. Në qoftë se votimi është i sukseshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024”, ka shkruar Tahiri.

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, tha se dita e votimit është hapi gjigant drejt anëtarësimit, por nuk është hapi final, sepse hapi final kërkon edhe votën e ministrave të jashtëm.

    Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

    Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!