Përfaqësuesit e partive opozitare kanë shprehur shqetësimin e tyre se PDK-ja do të tentojë që në 12 ditët e mbetura para seancës ta bëjë pazarin e ri për zgjedhjen e një kryeministri pa shkuar fare në zgjedhje.
Por në rast se ka përpjekje për t’u realizuar ky skenar, ata kanë paralajmëruar mobilizim të qytetarëve, shkruan gazeta “Zëri”.
Kanë mbetur edhe më pak se dy javë deri te dita kur është paraparë të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Nënshkrimet për mbajtjen e seancës së 22 gushtit tashmë i kanë dorëzuar shumica e partive parlamentare.
Derisa LDK-ja, LVV-ja, AAK-ja, Nisma e PSD-ja kanë njoftuar se i kanë deponuar nënshkrimet, nga PDK-ja kanë bërë të ditur se një gjë të tillë do ta bëjnë në fillim të javës së ardhshme.
Megjithëkëtë zyrtarët e opozitës po vazhdojnë të dyshojnë se në ditët në vijim mund të arrihet ndonjë pazar për formimin e një qeverie të re, pa shkuar fare në zgjedhje.
Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje përpjekje të tilla ka pasur dhe po vazhdon të ketë akoma nga PDK-ja dhe presidenti Hashim Thaçi, pavarësisht faktit që tashmë është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit.