Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me kryetarët e komunave ka thënë se mori mbështetjen e tyre për masa më të ashpra në luftimin e pandemisë.
Hoti ndër të tjera ka thënë se i ka njoftuar kryetarët e komunave që me këtë trend të të prekurve me covid-19, duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe se ata i kanë dhënë përkrahje për një vendim të tillë.
“Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve”, ka shkruar Hoti.
Ai ndër të tjera ka shpjeguar se gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, shkruan Reporteri.net.
“Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar ndër të tjera Hoti duke mos dhënë më shumë detaje.
Kujtojmë se të dielën, Hoti ka njoftuar se do të takohet me Këshillin e Sigurisë Kombëtare me të cilët do të diskutojnë dhe do të vlerësojnë se a është e nevojshme që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.