Me lehtësimin e masave, ku tashmë Kosova ka hyrë në fazën e tretë dhe shumica e kufizimeve janë hequr, është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të rasteve me koronavirus.
Vatra të reja të infeksioneve kanë shpërthyer në disa komuna ku numri i rasteve kishte pushuar, si në Prishtinë, Fushë Kosovë e Vushtrri.
Për këtë arsye është shprehur e shqetësuar edhe IKSHPK, e cila ka bërë thirrje që bizneset e në veçanti gastronomia të respektojnë masat në mënyrë strikte, të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura, shkruan Reporteri.
Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, teksa bëri thirrje të respektohen masat kundër coronavirusit në mënyrë strikte, paralajmëroi se nëse numri i rasteve rritet mund të ndalohet sërish puna e disa veprimtarive.
“Situata epidemiologjike është duke u monitoruar në vazhdimësi, me angazhime për të mos lejuar përkeqësimin, që do të na detyronte të kthehemi prapa dhe të marrim masa shtesë në parandalimin e pandemisë që do të nënkuptonin edhe ndalesat e disa veprimtarive që tashmë janë hapur dhe po funksionojnë normalisht, gjithmonë të obliguar që të zbatojnë rekomandimet e IKSHPK”, thotë ministri i Shëndetësisë Zemaj.
Kujtojmë se në Kosovës vazhdojnë të jenë ende 282 raste aktive me koronavirus. /Reporteri.net