Kreu i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, pritet t’i rikthehen tavolinës së bisedimeve për lidhjen e koalicionit qeverisës.
Të dy këto parti kanë deklaruar se janë të gatshme për të vazhduar bisedimet mes tyre, siç thonë që të gjejnë një zgjidhje për formimin e qeverisë.
Është nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, që mbrëmë në një deklarim për media ka paralajmëruar një takim mes Kurtit e Mustafës për sot.
“Takimet duhet të vazhdojnë, besoj qysh nesër (sot) dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje në përputhje me interesat e qytetarëve dhe te vendit”, ka deklaruar ajo.
Por ende nuk ka diçka zyrtare rreth takimit eventual mes krerëve të këtyre dy partive.
Haxhi Avdyli i cili ka fituar sërish mandatin e deputetit nga LDK në zgjedhjet e 6 tetorit, ka konfirmuar se do të ketë takimet mes partive, por nuk ka mundur të thotë nëse do të ndodhë një i tillë sot.
“Nuk kam informata. Ka me pas (takime) por, kur se di”, ka thënë shkurt Avdyli për Reporteri.net.
Kurse i pyetur për propozimet që bëri Kurtid je për zv.kryeministrin e dytë dhe 5 ministrat, Avdyli nuk ka dashur të komentoj.
“S’kam koment”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se VV dhe LDK nuk janë takuar nga koha kur Kurti publikoi videomesazhin e parë, ku fajësoi LDK-në për mosarritje të koalicionit qeverisës, dhe sidomos raportet mes dy subjekteve u thyen kur VV njëanshëm votoi Glauk Konjufcën kryekuvendar. /Reporteri.net/.