×
  • Lajme
  • Lajme

    A do t’i bindin ndërkombëtarët Kurtin e Mustafën të nënshkruajnë sot marrëveshjen?

    Reporteri
    28 Janar 2020 | 9:09

    Pasi mbrëmë nuk arritën marrëveshje edhe pse u “mbyllën” për dy orë në Kuvendin e Kosovës, kreu i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa sot do të takohen sërish.


    Për dallim nga takimet e kaluara, sot në tryezë të bisedimeve për të munduar t’i “bindin” të arrijnë marrëveshje do të jenë edhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.

    Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ndërkombëtarët do të jenë aty për t’u informuar.

    “Takimi do të jetë informativ, ashtu ka qenë ideja”, ka deklaruar Osmani mbrëmë për Express, shkruan Reporteri.net.

    Kurse nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se përfaqësuesit e QUINT-it takimit mund t’i japin atmosferë pozitive.

    “Mund t’i jep atmosferë pozitive (takimit) dhe shpirt politik, përndryshe vullneti i LDK-së dhe VV-së është për marrëveshje të përbashkët”, ka deklaruar mbrëmë Haziri në Klan Kosova, shkruan Reporteri.net.

    Kujtojmë se mbrëmë Kurti e Mustafa, pas një kohe të gjatë iu rikthyen dialogut, ku për dy orë u takuan në Kuvend, por sërish pa sukses.

    Pas përfundimit të takimit nuk foli asnjëri prej tyre. Ata i “mashtruan” gazetarët që ishin duke pritur në hollë të Kuvendit duke mos dalë para tyre, por ikën nga hyrja e pasme e Kuvendit.

    Kujtojmë se “mollë sherri” për mosarritjen e marrëveshjes mes këtyre partive mbetet posti i kryekuvendarit të cilën po e kërkon LDK-ja, por nuk po heq dorë partia e Kurtit, e cila më 26 dhjetor zgjodhi Glauk Konjufcën si kryetar Kuvendi falë votave të LDK-së, por pa marrëveshje me këtë parti.

    Kujtojmë se Kurti si mandatar për krijimin e qeverisë ka afat deri më 4 shkurt për të arritur marrëveshje në të kundërtën i shuhet ëndrra për t’u bërë kryetar i ekzekutivit kosovar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!