Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë babai i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Veseli, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, takimin e fundit me babain e tij e kishte para disa muajsh në Spitalin e Mitrovicës, kur ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai ishte lejuar që të vinte për vizitë në Kosovë, meqenëse babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka dërguar pyetje në adresë të Dhomave të Specializuara në Hagë për të kuptuar nëse Veselit do t’i lejohet ardhja në Kosovë për të marrë pjesë në funeralin e babait të tij, që sipas njoftimit të familjarëve do të bëhet në ora 19:00.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep ka thënë për Reporteri.net se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare.
Ajo është shprehur se nëse ka një kërkesë të tillë, paneli do të vendosë në përputhje me këtë.
“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për kërkesa të tilla”, ka thënë Griep në një përgjigje për Reporteri.net.
Babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli do të varroset sot në Broboniq të Mitrovicës. /Reporteri.net