Më 18 nëntor, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, kishte njoftuar se kishte rezultuar pozitiv për COVID-19.
Të premten, vetëm nëntë ditë pasi i ishte konfirmuar rezultati, Abrashi ka marrë pjesë në punime në asfaltimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, e që prej aty është bërë pjesë e fushatës së LDK-së për zgjedhjet në Podujevë.
Ndërkohë, i pyetur për këtë ministri ka thënë se në fakt ai ishte izoluar që në mbrëmjen e 9 nëntorit, për 17 ditë.
Por, në faqen zyrtare të Ministrisë ishte njoftuar për një vizitë të tijën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që sipas këtij njoftimi nga kjo vizitë Abrashi kishte mbikëqyrur “masat e ndërmarra nga operatori i aeroportit LIMAK me qëllim të frenimit të përhapjes së COVID-19”.
Lidhur me këtë vizitë është sqaruar edhe Autoriteti i Aviacionit Civil.
Nga ky institucion kanë sqaruar se fotoja ishte realizuar më 5 nëntor, por që për shkak të zhvillimeve nga Specialja, ishte vendosur që njoftimi për vizitën e tij të publikohej disa ditë më pas.
“Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale.
Njoftimi i plotë:
Sqarim nga AACK në lidhje me raportimet e disa mediave
Autoriteti i Aviacionit Civil ka zhvilluar një inspektim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për mbikëqyrjen e masave të ndërmarra nga operatori për frenimin e përhapjes së COVID-19. Vizita është bërë së bashku me Ministrin e Infrastrukturës z. Arban Abrashi.
Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale.
Lajmi për vizitën ishte publikuar më datën 10 nëntor duke pas për qëllim informimin e publikut se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është duke i zbatuar masat mbrojtëse për përhapjen e COVID-19 dhe se Autoriteti i Aviacionit Civil është duke monitoruar zbatimin e këtyre masave.
Dëshirojmë të sqarojmë opinionin për datën e saktë të realizimit të vizitës e cila nuk është e njëjta me datën e postimit të lajmit në mediat sociale.
Publikimet tona janë të menduara për informimin e publikut me interes në aviacion. Lusim mediat për konfirmim para publikimit.