Në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ende s’është futur në rend dite, Qeveria e Kosovës është zotuar për krijimin e një draft-statuti për Asociacion dhe dërgimin e tij në Kushtetuese deri në fund të muajit maj, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kjo është bërë e ditur nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila ka thënë se i ka dërguar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Theodoros Rousopoulos me zotimin për përgatitjen e draftit dhe dërgimin e tij në Kushtetuese deri në fund të këtij muaji. Në letër thuhet se Qeveria do të përgatisë një draft bazuar në atë nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).
Gërvalla në një konferencë për media tha se presin nga partnerët ndërkombëtarë që ta vlerësojnë këtë lëvizje të Kosovës më mënyrë që Qeveria të bëjë hapa tutje drejt përgatitjes së draftit. Ndonëse në letrën e saj thekson se Qeveria e Kosovës është duke punuar në hartimin e draftit, në konferencë për media, kryediplomatja ka thënë se kjo çështje është vetëm në fazën e zotimit.
“Kryeministri Kurti ditë më parë e ka shpjeguar pse një draft i caktuar nuk mund të dërgohet në Kushtetuese. Në momentin që dokumenti do të dërgohej në Kushtetuese, natyrisht që do ta kishte ndërruar trajtën e tij dhe nuk do të dërgohej si një draft-dokument. Nuk ka asnjë lloj dileme se kush i ka kompetencat për dërgimin në Kushtuese apo marrjen e një vendimi të tillë. Po flasim për një zotim për të përgatitur një draft-dokument. Nuk po flasim as për një dokument të gatshëm, as për një draft-dokument të dorëzuar diku. Kemi përsëritur zotimin tonë për të hartuar një draft-dokument i cili i plotëson edhe nevojat e qytetarëve tanë, të cilët i dinë vetë nevojat e tyre, por edhe që është në përputhje jo vetëm me Kushtetutën por edhe me ligjet e veçanta të shtetit tonë, prandaj nuk i shoh rreziqet e tilla. Në këtë moment ende jemi në fazën e zotimit për t’u angazhuar seriozisht në një proces të tillë. Një qeveri serioze duhet të merret edhe me çështjet që i ka trashëguar vetë. Ne nuk mund të merremi vetëm me tema të lehta, duhet të gjejmë zgjidhje një nga një, me maturi e pak guxim edhe me temat që ne i kemi trashëguar, të cilat unë i quaj gabime të pafalshme, por një qeveri serioze zgjidh probleme, në vend se të ankohet për ato të së kaluarës. Ne presim që partnerët tanë ndërkombëtarë ta vlerësojnë këtë angazhim, zotim dhe varësisht nga reagimi i palës tjetër do të shohim se a do të jemi në gjendje ta draftojmë dhe ta paraqesim. Deri më tani nuk jemi në procese të avancuara, jemi tek zotimi me shpresën që një zotim i tillë të shihet ashtu siç është, zotim i sinqertë që do të pranohet”, tha Gërvalla.
Por, ai njoftoi Qeveria e Kosovës shtetet e QUINT-it për letrën që ia nisi KiE-së?
Vartësi i Gërvallës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, tha se para se letra të dërgohej në Asamblenë Parlamentari të KiE-së, Qeveria e Kosovës i ka njoftuar shtetet e QUINT-it për këtë hap.
Ai tha se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i cili mblidhet të premten, mund të vendosë për një datë tjetër për futjen në agjendë të çështjes së anëtarësimit të Kosovës.
“Letra nuk është dërguar pa kaluar nëpër kanalet zyrtare që do të thotë fillimisht është dërguar në kanalet zyrtare, të gjitha vendet e QUINT-it, edhe SHBA në fakt janë anëtare monitoruese, prandaj kjo gjë është bërë. Në rast se se nuk ka gatishmëri politike dhe vullnet që të ndryshohet agjenda në këtë periudhë që ka mbetur për ne se sigurisht se ministreriali i nesërm mund ta vendosë një datë të radhës se kur do të mund të bëhej kjo gjë dhe të përfundohej dhe kjo do të ishte një shenjë e qartë e ecjes përpara në mënyrë që të ecim edhe ne përpara “, tha Ahmeti.
Gjatë ditës, të pyetur nga gazeta online Reporteri.net, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka dashur të komentojë veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës e cila njoftoi Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin.
Nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë se nuk ka më shumë komente rreth çështjes përveç atyre që i ka thënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në anën tjetër lëvizja për Asociacionin nuk është konsideruar hap i mjaftueshëm nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, Ambasada Gjermane në Kosovë ka thënë se hapi i fundit i Qeverisë së Kosovës, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me draft-statutin për Asociacionin, ishte hap i pritshëm e konkret, por shtuna se “ende nuk kanë ndodhur hapat e vështirë”.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa realë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Sipas ambasadës, dorëzimi i draft-statutit në Kushtetuese është një ndër hapat që Kosova ka paralajmëruar.
“Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komisionit është hapi i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë punët e vështira”. Kjo ende nuk ka ndodhur”, u tha në përgjigjen e ambasadës për Reporteri.net.