×
  • Lajme
  • Lajme

    A iu ble heshtja me postin e nënkryetarit të Prishtinës, Shkëmb Manaj reagon sërish: Nuk bëj pazare në politikë, askush s’mund të ma mbyll gojën

    Reporteri
    02 Prill 2025 | 14:34

    Kandidati për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, tashmë i zgjedhur nënkryetar i Prishtinës, ka reaguar pas publikimit të mesazhit të tij në grupin e LDK-së në WhatsApp ku ka akuzuar bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK-së, se ia vodhën mandatin e deputetit.

    Manaj në një reagim të gjatë ka përmendur edhe komunikimet që dolën nga grupi i LDK-së në Viber, të cilat i publikoi gazeta online Reporteri.net.

    Ai ka thënë  se mënyra se si këto biseda dolën në publik është e ulët, teksa pretendoi se u bë nga individë që duan ta godasin LDK-në, ndërsa shtoi se shqetësimet e tij i ka adresuar privatisht.

    “Mënyra se si ka dalë komunikimi ynë i brendshëm në publik, është i ultë. Ajo është pjesë e një fushate të individëve që çështjet e tilla të debatit të brendshëm, dëshirojnë t’i bëjnë kauza politike për ta goditur shtëpinë tonë politike, në kohën kur ajo ka filluar të ringritet!”, shkroi ai.

    Manaj, i cili  të premten mori postin e nënkryetarit të Prishtinës, ka mohuar se ky post i erdhi për ta heshtur.

    “Si rrjedhojë e të gjitha këtyre dhe qëndrimit tim parimorë, unë këto ditë kam qenë pre e plotë goditjeve të orekstruara të brendshme dhe të jashtme. Por, unë jam këtu për të qëndruar ashtu siç e kam edhe emrin, Shkëmb! Thanë se me është mbyllur goja për pozicionin e nënkryetarit të Kryeqytetit. Ju them, se asnjë lidhje ky pozicion nuk e ka me këtë proces dhe për këtë janë në dijeni udhëheqësia e LDK-së dhe Kryetari i Kryeqytetit. Me është kërkuar nga ta që marr këtë përgjegjësi për shkak të angazhimit tim tash e mbi tri vite në Kryeqytet, me qëllim të ruajtjës së vazhdimësisë të proceseve, tash në fund të këtij mandati të parë qeverisës në Prishtinë. Ata që me njohin, e dijnë fare mirë se unë nuk bëjë pazare në politikë, prandaj asnjëherë askush nuk ka mundur dhe nuk mundet të ma mbyll gojën mua!”, shkroi tutje ai.

    Reagimi i plotë:

    Diskutimet e brendshme janë pjesë e demokracisë tonë brenda LDK-së! Për sa i përket vërejtjeve të mia për procesin e votimit me postë, ju njoftoj se unë nga fillimi, të gjithë komunikimin e kam bërë brenda strukturave tona, asnjëherë nuk kam dal në publik. Fillimisht e kam njoftuar Kryetarin e LDK-së! Pastaj, në grupin e Kryesisë kam reaguar i fundit, edhe pse veç unë kam qenë në atë grup që e kam humbur mandatin e fituar nga ky proces i votave me postë. Kështu jam i edukuar unë, që ta ruaj shtëpinë time politike, edhe atëherë, kur me merret një e drejtë e fituar!

    Jam sjellë kështu, sepse kam vlerësuar dhe vlerësoj që ne në LDK kemi kapacitete që defektet t’i trajtojmë dhe eliminojmë brenda për brenda organizimit tonë politik, për aq sa janë procese politike dhe strukturore. Kur ato kanë elemente penale, institucionet e drejtësisë, duhet t’i trajtojnë dhe duhet t’i hetojnë deri në pikën e fundit! Sepse LDK nuk duron individë me shkelje penale brenda saj dhe se ne duhet të jemi në funksion të plotë të institucioneve të drejtësisë!

    Mënyra se si ka dalë komunikimi ynë i brendshëm në publik, është i ultë. Ajo është pjesë e një fushate të individëve që çështjet e tilla të debatit të brendshëm, dëshirojnë t’i bëjnë kauza politike për ta goditur shtëpinë tonë politike, në kohën kur ajo ka filluar të ringritet! Gjithashtu për ta dobësuar pozicionin e LDK-së në raport me marrëveshjet eventuale për bashkëqeverisjes dhe për të tentuar të shantazhojnë LDK-në, por kanë harruar se sot dhe asnjëherë LDK nuk mund të shantazhohet. Sot, ne duhet të jemi të përbashkuar për shumë arsye dhe për procesin e radhës zgjedhor, të zgjedhjeve lokale.

    Si rrjedhojë e të gjitha këtyre dhe qëndrimit tim parimor, unë këto ditë kam qenë pre e plotë goditjeve të orekstruara të brendshme dhe të jashtme. Por, unë jam këtu për të qëndruar ashtu siç e kam edhe emrin, Shkëmb! Thanë se me është mbyllur goja për pozicionin e nënkryetarit të Kryeqytetit. Ju them, se asnjë lidhje ky pozicion nuk e ka me këtë proces dhe për këtë janë në dijeni udhëheqësia e LDK-së dhe Kryetari i Kryeqytetit. Me është kërkuar nga ta që marr këtë përgjegjësi për shkak të angazhimit tim tash e mbi tri vite në Kryeqytet, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë të proceseve, tash në fund të këtij mandati të parë qeverisës në Prishtinë. Ata që me njohin, e dinë fare mirë se unë nuk bëj pazare në politikë, prandaj asnjëherë askush nuk ka mundur dhe nuk mundet të ma mbyll gojën mua!

    Tash jam shumë i qetë dhe jam shumë i lumtur që ata që kanë menduar dhe kanë dashur ta godasin LDK-në dhe lidershipin e saj përmes meje, kanë dështuar. Unë jam aq i pjekur politikisht, që ta kuptoj fare lehtë këtë pozicion. Prandaj, dezinformojnë. Por, unë nuk ju kam faj atyre që ju ka humbur rruga në oborr!

    LDK ka nevojë për reforma përmbajtjesore dhe për unitet funksional. LDK është me e madhe se secili prej nesh! Unë jam këtu, pavarësisht sfidave, sepse asnjëherë nuk kam pasur dhe nuk kam shtëpi tjetër politike përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!