TRUSTI siguron qytetarët se aplikimi online përmes linkut të ri të publikuar nga vetë Fondi për Kursime Pensionale të Kosovës është i sigurt dhe se të dhënat e tyre personale nuk do të mund të keqpërdoren, përkundër se linku për shumëkënd mundur të duket i dyshimtë.
Pas sulmit që u cilësua si sulm kibernetik ndaj faqes së Fondit për Kursime Pensionale të Kosovës dhe funksionalizimit të një linku tjetër ku qytetarët mund të aplikojnë janë shfaqur dyshimet se kjo faqe nuk është e sigurt dhe mund të keqpërdoren të dhënat e qytetarëve të Kosovës.
Por, zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi i ka thënë Gazetës Online “Reporteri.net” se qytetarët nuk duhet të shqetësohen për sigurinë e të dhënave të tyre.
“Faqja e re e përdorë të njëjtën teknologji si faqja tjetër dhe nuk kemi asnjë sinjal që ka pasiguri në të. Për gjysmë ore, kemi mbi 30 mijë aplikime. Pritet ta kthejmë në përdorim edhe faqen trusti10.org, por për këtë do të ju njoftojmë më vonë. Nuk ka asnjë mundësi që të dhënat e përdoruesve të keqpërdoren”, tha Demi për Reporteri.net.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar se mbi 30 mijë persona kanë aplikuar online vetëm në 30 minutat e para, për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale.
Procesi i aplikimit online ishte paraparë që të niste nga ora 15:00, por se gjërat nuk shkuan siç ishin planifikuar, mundësitë tjera opsionale për aplikim online të tërheqjes së 10 përqindëshit janë vënë në funksion para orës 16:00 të së premtes.
Me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.
Aplikimi online do të zgjasë katër muaj, derisa qytetarët që kanë aplikuar sot, paratë priten tu dalin në xhirollogaritë e tyre tek pas datës 23 dhjetor 2020, shkruan Reporteri.net.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit. /Reporteri.net