Autor: Blendi Gashi
Afganistani është bërë kryelajm i mediave botërore, kjo për faktin se talibanët kanë marrë nën kontroll kryeqytetin – Kabulin, duke e rrethuar nga të gjitha anët.
E kjo bëri që shumë diplomatë dhe punonjës të ambasadave të huaja të fillojnë procesin e evakuimit, nga frika se mund ta pësojnë me jetë.
Në momentin që ata kanë shpallur fitoren në këtë qytet, presidenti i këtij vendi Ashraf Ghani është larguar nga vendi së bashku me kabinetin e tij – duke ia mësyrë Taxhikistanit.
Kjo ka bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat u tërhoqën nga ky vend aziatik pas 20 viteve, të kërkojnë nga vende të ndryshme të pranojnë për strehim të përkohshëm të refugjatëve afganë.
Edhe shteti ynë Kosova ka pranuar pa ndonjë hezitim kërkesën e SHBA-ve që të strehojë refugjatë afganë.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka biseduar me Bedri Elezit, Drejtor i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, për situatën e krijuar në Afganistan, respektivisht për kosovarët e mundshëm që janë në mesin e talebanëve.
Elezi thotë se ka dyshime se rreth 40 shqiptarë i janë bashkuar talebanëve.
“Ka dyshime se edhe shqiptarë i janë bashkangjitur talibanëve pas viteve 2003 – 2005, e të cilët në mënyra të ndryshme edhe janë kthyer në vend apo kanë migruar në vende të ndryshme të BE-së. Me këtë rast dua të përmend faktin se ka pasur shqiptarë të burgosur në burgun e Guantanamës nga ushtria Amerikane. Njëri nga shqiptarët e burgosur nga Ushtria Amerikane në Afganistan është nga Maqedonia dhe i njeti ka qëndruar një kohë të gjatë në Kosovë, dhe i njeti është arrestuar dhe më pas është ekstrduar për Maqedoni”, thotë Elezi për Reporteri.net.
Ai shton më tej se qytetarët shqiptarë cilët janë bashkangjitur talibanëve në luftën kundër pozitës në Afganistan janë në numër të vogël.
“Këto shqiptarë janë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja Hercegovina dhe Serbia, por të cilët janë në numër shumë vogël. Megjithatë nuk ka të dhëna të sakta se sa mund të jetë numri i kosovarëve të cilët i janë bashkangjitur talibanëve në luftën kundër qeverisë së Afganistanit, e cila mbështetej nga qeveria Amerikane. Besohet numri i kosovarëve të cilët janë pjesë e talibanëve nuk kalon shifrën mbi 40 persona dhe disa nga ata mund të kenë udhëtuar nga Europa”, thotë Elezi.
Ndërsa flet për situatën aktuale të sigurisë në Afganistan, Elezi thotë se ajo është shumë serioze, ngase aktualisht Afganistani me 30.4 milon banor si dhe një ekonomi me rritjen më të shpejtë në rajon, është duke u udhëhequr nga radikalistët Taliban të cilët janë pjesë e IS, e të cilët veç se e kanë shpallur shtetin Islam të Afganistanit, shtet i cili pohon se do të udhëhiqet sipas “Sheriatit”.
“Me të drejtë mund të thuhet se Afganistani është shteti i vetem i cili do të udhëhiqet me Sheriat siç kishte ndodhur me ISIS në Siri dhe Irak. Kjo udhëheqje do të jetë shumë e vështirë, sepse shumë Afgan do të përballen me dënime të ashpra dhe do të ketë shumë persona të ekzekutuar”, thotë Elezi.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka pyetur edhe në Policinë e Kosovës nëse kanë shifra se sa kosovarë i janë bashkuar talebanëve, por nga Zyra për Informim kanë thënë se nuk kanë shifra të tilla. /Reporteri.net/.