×
  • Lajme
  • Lajme

    A mund të lirohet Gucati nga Haga, mbrojtja e tij thotë se kanë pushuar arsyet për ta mbajtur në paraburgim

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 10:07

    Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, mund të lirohet nga paraburgimi. Kështu të paktën po kërkon avokati i tij, Jonathan Rees, i cili po konsideron se tanimë të gjitha arsyet për mbajtjen në ndalim të Gucatit kanë pushuar.


    Vetëm katër faqe parashtresë, prej të cilave dy me argumente janë dërguar në Gjykatë nga avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Kjo për shkak se Rees tanimë as nuk e sheh të nevojshme të argumentohet më gjerë për lirimin e Gucatit nga Haga, pasi që ai pretendon se të gjitha arsyet për ta mbajtur atë në paraburgim kanë pushuar, shkruan lajmi.net.

    Ai në parashtresat e tij ka thënë se se sa më gjatë një person të mbahet në paraburgim, aq më e madhe është barra mbi Dhomat e Specializuara për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit, shkruan lajmi.net.

    “Mbrojtja përsërit se sa më gjatë që personi të mbetet në paraburgim, aq më e madhe është barra për Dhomat e Specializuara për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit. Supozimi i qartë është në favor të të akuzuarit të jetë në liri. Paraburgimi mund të zgjatet vetëm (i) kur kushtet e rrepta të Nenit 41 (6) të Ligjit vazhdojnë të plotësohen dhe (paraburgimi mbetet rreptësisht i domosdoshëm dhe proporcional duke konsideruar nëse masa të tjera më pak të rrepta sesa paraburgimi mund të ishin të mjaftueshme”, thuhet në parashtresën e Rees.

    Në këtë kontekst, Rees ka thënë se provat apo arsyetimet për mbajtjen e Gucatit në paraburgim kanë qenë të njëjtat që nga fillimi, dhe nuk ka pasur argumentime tjera që mund ta plotësonin kushtin për vazhdimin e mbajtjes, shkruan lajmi.net.

    “Sidoqoftë, ZPS tani e ka bërë të qartë se, në gjykim, nuk do, dhe nuk mund, të prodhojë në provë një dokument të vetëm për të cilin ata pretendojnë se Z. Gucati ishte përgjegjës për shpërndarjen, i cili nuk ishte tashmë në domenin publik”, thuhet tutje në pretendimin e Rees.

    Sa i përket frikësimit të dëshmitarëve, argument ky kryesor i Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim të Gucatit, mbrojtja thotë se tanimë ZPS e ka bërë të qartë se në gjyq nuk do dhe nuk mund ta thërras asnjë dëshmitar që do të dëshmonte se ata ishin frikësuar apo kërcënuar nga veprimet e Gucatit.

    “Më tej, ZPS-së gjithashtu e ka bërë të qartë se, në gjyq, nuk do, dhe nuk mund, të thërrasë një dëshmitar të vetëm për të thënë shmangien që ata ishin kërcënuar ose frikësuar, ose se ata ishin përballur me pasoja të tjera serioze, si rezultat i veprimeve të zotit Gucati”, ka thënë tutje avokati Rees.

    Tutje, avokati Rees ka potencuar se ndalimi në paraburgim i Gucatit nuk mund të konsiderohet më i domosdoshëm dhe proporcional për ndonjë arsye, dhe se lirimi i tij duhet të urdhërohet menjëherë, me apo pa kushte.

    “Në dritën e pozicionit të sqaruar të ZPS-së siç është dhënë më lart, pohohet që ndalimi i vazhdueshëm i Gucati nuk mund të konsiderohet më si i domosdoshëm dhe proporcional, dhe se lirimi duhet të urdhërohet menjëherë, me ose pa ndonjë nga kushtet e propozuara më pare”, ka thënë ai, shkruan tutje lajmi.net.

    Pasë parasysh argumentimet si më lartë të mbrojtjes, kërkesë e vetme e avokatit është lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi i Gucatit.

    Për këtë çështje, Gjykatësi Francez i procedurës paraprake, Nicollas Guillou, pritet të marrë një vendim në ditët në vijim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!