×
  • Lajme
  • Lajme

    AAK i del kundër Veselit për “pastrimin e veteranëve”

    Reporteri
    23 Qershor 2019 | 10:38

    Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ditë më parë tha se do të iniciojë Komision hetimor parlamentar i cili do të pastrojë listat e veteranëve të UÇK-së. Por, për këtë nismë, Veseli nuk mund të llogarit në partnerin e tij qeverisës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. 


    Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, që njëherësh është shef i deputetëve të kësaj partie, në një intervistë për EkonomiaOnline, këtë nismë të Veselit po e konsideron si “lojë politike”, pasi që për çështjen e veteranëve ka pasur një marrëveshje politike.

    Ai vlerëson se tashmë “rasti veteranët”, është në duar të drejtësisë dhe se nuk duhet të ndërhyjë politika.

    “Ne e konsiderojmë më shumë lojë politike këtë nismë. Nëse është gjykata tani duke u marr me këtë lëndë, atëherë duhet t’i lihet asaj”.

    Isufi ka komentuar edhe vendimin e Veselit për shkarkimin e zyrtarëve të PDK-së, të cilët kanë aktakuza për korrupsion.

    Edhe këtë nismë po e vlerëson si jo të qëlluar. Thotë se AAK-ja nuk e ka për obligim të shkarkojë ministrat që kanë aktakuza, përderisa nuk ka një aktgjykim të formës së prerë.

    Por, Veseli mund të llogaritë në AAK-në, sa i përket themelimit të Tribunalit për dënimin e krimeve serbe në Kosovë.

    Isufi thotë se në këtë drejtim Kosova ka humbur shumë kohë, përderisa paralajmëron dinamizim të procesit për themelimin e tij.

    Shefi i deputetëve të AAK-së, ka komentuar edhe mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

    Thotë se asnjë parti politike, përfshirë edhe opozitën nuk janë të interesuara për zgjedhje.

    Megjithatë, thotë se AAK-ja është e gatshme kur do që mbahen ato, pasi që vlerëson se partia të cilës i përket është në rritje e sipër, fal “vendimeve të mëdha” të shefit të tij.

    Në fund Isufi ka komentuar edhe idenë e presidentit Thaçi për bashkim kombëtar.

    Thotë se kjo ide nuk i takon vetëm atij, por çdo shqiptari dhe çdo brezi.

    “Bashkimi Kombëtar nuk është ide personale, e as individuale e dikujt. Është ide e brezave e tërë shqiptarëve që kanë dashur të jetojnë në një shtet në një komb që padrejtësisht janë ndarë në periudha të kaluara dhe kjo ide vazhdon edhe më tutje nuk është ndonjë risi”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!