Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare në të cilën do të diskutohet për tre vjetët e Qeverisë Kurti.
Në seancën e sotme Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes rezolutës do të kërkojë dorëheqjen e Kurtit dhe shpërndarjen e Kuvendit, shkruan gazeta online Repoprteri.net.
“Qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje ose me mocion për shkarkimin e saj”, dhe pas dorëheqjes apo shkarkimit, të shpërndahet Kuvendi i Kosovës, thuhet në rezolutën e AAK-së.
Partitë opozitare kanë kritikuar qeverisjen e Kurtit në këto tri vite duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por PDK, LDK dhe AAK nuk po pajtohen për mënyrën se si do të ndodhë kjo.
Derisa Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që Kuvendi të shpërndahet, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkesë tjetër, atë të dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mbrëmë tha se partia që ai drejton ka propozuar tri data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Krasniqi tha se sipas PDK-së, afati i fundit për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve duhet të jetë 7 korriku.
“Kam besuar që data më e mirë, edhe për simbolikë ka qenë 9 qershori, sepse me 9 qershor mbahen edhe zgjedhjet në Parlamentin Evropian, Kosova duke qenë vend i sanksionuar nga BE-ja edhe duke pasur popullin më pro-evropian dhe pro-amerikan ne e kishim dhënë edhe një shembull që po i mbajmë zgjedhjet në të njëjtën ditë më BE-në dhe kjo dritare iku. Në takimin që e kam pasur me Kurtin unë i kam tregu që ne besojmë se për qytetarët e Kosovës datat më të përshtatshme janë 23-30 qershor, ndërsa data e fundit mund të jetë 7 korriku. Sot mund të kemi mundësi të diskutojmë kryesisht për 30 dhe 7 dhe kemi kohë deri të fund të javës së ardhshme”, tha ai në Klan Kosova.
Por në anën tjetër, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se LDK nuk ka votë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pa dorëheqjen e kryeministrit Kurti.
“LDK qëndrimin e ka të qartë, zoti Kurti duhet të japë dorëheqje, nuk ka shpërndarje të Kuvendit, ne nuk e marrim përgjegjësinë për dështimet e zotit Kurti. Kurti duhet të dalë me i tregu publikut që ka dështuar”, tha ajo mbrëmë.
Bajrami në RTV21, tha se pret që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit. /Reporteri.net/