Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se mungesa e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale, po shkakton zhvillim të paorganizuar, dëmtim të mjedisit dhe kufizim të investimeve strategjike.
Madje, AAK pretendon se komunat dhe investitorët po përballen me vështirësi të mëdha në vendimmarrje dhe në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Mungesa e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale po shkakton zhvillim të paorganizuar, dëmtim të mjedisit dhe kufizim të investimeve strategjike. Një qeveri e ardhshme e Aleancës do të angazhohet në thjeshtësimin e procedurave për lejet ndërtimore dhe hartimin e një ligji të posaçëm për zonat turistike malore. Pamundësia për hartimin dhe miratimin e këtyre dokumenteve në nivel kombëtar pengon gjithashtu planet dhe zbatimin e dokumenteve të ngjashme në nivel komunal. Kjo mungesë krijon pengesa për komunat, të cilat nuk kanë bazë të qartë ligjore dhe strategjike për zhvillimin e territorit të tyre. Një ndër efektet më të dëmshme të mungesës së këtyre dokumenteve është dëmtimi i mundshëm i mjedisit përmes ndërtimeve të pakontrolluara, ndërkaq pengesat për leje ndërtimore ngadalësojnë proceset dhe pengojnë rritjen e mirorganizuar të vendit”, thuhet në reagimin e partisë.
Tutje, në reagimin e tyre thuhet se miratimi i këtyre dokumenteve do të mundësonte zhvillimin e integruar të turizmit malor, duke identifikuar zonat me potencial të lartë turistik dhe duke ofruar për investitorët.
Ndër të tjerash, AAK-ja propozon edhe disa masa konkrete, përfshirë përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkomunal për menaxhimin e destinacioneve turistike malore.
/Reporteri.net/.