AAK-ja e Ramush Haradinajt, po akuzon Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në se nuk po arrijnë ta lidhin koalicionin qeverisës për shkak se nuk po merren vesh si të ndajnë “tortën” e pushtetit.
Time Kadrijaj nga AAK thotë se VV dhe LDK po shtyhen me njëra-tjetrën se kush po merr pushtet më shumë se tjetra.
“Interesant, VV ka garuar me moton me ç’kap shtetin, por po del se për të pushteti qenka më i madh se shteti”, thotë Kadrijaj, për Reporteri.net.
Ajo thotë se VV e LDK duhet të formojnë sa më shpejt qeverinë e re.
“Për shkak të pushtetit s’po merren vesh, egove kush po merr më shumë si qeveri. Sipas zhvillimeve po shihet se sharra ka ngec në gozhdë, dy palët nuk po lëshojnë pe”, thotë ajo.
Ajo nuk beson se VV e LDK do ta nënshkruajnë marrëveshjen para seancës konstituive të Kuvendit të 26 dhjetorit.
“Populli i ka dhënë mandatarin që VV të formojë qeverinë. Duhet me i lanë pazaret dhe të dakordohen që sa më shpejt të formojnë institucionet. Por sipas asaj që po shohim dhe takimeve të rralla (VV- LDK) dhe deklaratave, nga nivelet e nënkryetarëve, nuk është në disponim i mire”, thotë Kadrijaj. /Reporteri.net/.