Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dje ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott.
Me këtë rast, Abbott, sot përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se e ka siguruar Ramën për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Më pëlqeu biseda ime me kryetarin e ri të Prishtinës, Përparim Rama, të premten. Ka shumë sfida përpara, por unë e sigurova atë për mbështetjen nga Mbretëria e Bashkuar”, ka shkruar Abbott në Facebook.
Në anën tjetër, Rama ka thënë se me Abbottin janë dakorduar për bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës dhe Ambasadës Britanike në Kosovë.
“Ambasadori Abbott fillimisht më uroi për postin si Kryetar i ri i Komunës së Prishtinës. Gjatë bisedës u dakorduam për bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, sepse përkrahja për Prishtinën do të kontribuojë në cilësinë e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Prishtinës, të gjithë Republikës së Kosovës, por edhe të gjithë trupit diplomatik e partnerëve të tjerë ta huaj të vendosur në kryeqytet”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Sipas tij, Abbotti ka shprehur mbështetjen dhe përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë mes Ambasadës Britanike dhe Komunës së Prishtinës. /Reporteri.net/