Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se jep tenderë nëpër kompani pa negocime paraprake dhe pa konkurrencë. Përmes një shkrimi në Facebook, Abdixhiku thotë se “Pushteti i Shpresës”, i jep bizneseve tendere milionëshe pa konsultime paraprake, përcjell Reporteri.net.
Dje, në Kuvendin e Kosovës ka përfunduar seanca pa votimin e rezolutës për kontratat njëburimore, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje lëshoi sallën dhe nuk pati kuroum.
Postimi i plotë i Abdixhikut në Facebook:
Mendojeni për pak, plot 781 tenderë, në vlerë prej 209 milion eurove, janë dhënë nga “Pushteti i Shpresës” me negocim të drejtpërdrejtë! Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një!
– Kështu janë ndarë plot 209 milion euro; 781 herë! 30 milion vitin e parë; 70 milion në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!
– Në KEK, 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, i janë dhënë një biznesi të njëjtë. 13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë!
– Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shërbime të IT-së, 15 milion euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë, i janë dhënë një biznesi me një tender. Plot 15 milion euro me muhabet të drejtpërdrejtë; në një fushë me dhjetra biznese me shërbim të njëjtë!
Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallë, por të vërtesës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!