Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë vizitës së bërë në një fabrikë në Prizren, ka thënë se politika e ka për detyrë t’i ndihmojë ato, e poashtu edhe punëtorët, shkruan Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se në tri vitet e fundit investimet e shtetit në ekonomi kanë qenë më të ulëtat në histori.
Tutje ai ka shkruar se pjesëmarrja e investimeve qendrore në këto tri vite në buxhet ka qenë vetëm 11 për qind. Kryetari i LDK-së ka thënë se ka nevojë për zhvillim dhe sipas tij “Rruga e Re” e ofron këtë zhvillim.
Postimi i plotë:
Fabrikat e Kosovës, punëtorët tanë, njerëzit që hapin shtigje të reja biznesi, kanë për të bërë këtë vend të zhvilluar e me mirëqenie. Politika ka vetëm një detyrë – të ju ndihmojë në këtë rrugëtim.
Së bashku me Dritonin, vizituam fabrikën Zinkuine në Prizren. Aty, nga 80 punëtorët me kontratë të plotë, përpunoheshin produktet e zinkut, aluminit e plumbit. Të njëjtat eksportoheshin për në Holandë. Made in Kosovë!
Gjatë qëndrimit mes tyre, kuptova edhe për sfidat e biznesit edhe për pritjet e punëtorëve. Dhe në të dy fushat ka shumë për t’u bërë.
Në tre vitet e shkuara, investimet e shtetit në ekonomi kanë qenë më të ulëtat në histori. Në mesatare, në këto tre vite, pjesëmarrja e investimeve qendrore në buxhet është vetëm 11%. Sa për krahasim, në vitin e pandemisë, kjo pjesëmarrje ishte 10%. Aty-këtu sikurse në mbyllje totale; aty-këtu sikurse në këto tre vite qeverisje!
Kosova ka nevojë për zhvillim.
‘Rruga e Re’ e ofron këtë zhvillim! Nga 1.1 miliardë euro investime çdo vit.