Lidhja Demokratike e Kosovës sot do të mbajë Kuvendin e IX Zgjedhor, ku do të votohet për kryetarin e partisë.
Pak minuta para se të fillojë punimet Kuvendi, deputeti Lumir Abdixhiku ka thënë se kanë arritur konsensus për Shefin e LDK’së, por nuk e ka mohuar as mundësinë se mund të ketë disa kandidatura. Ka thënë se në LDK gjithçka është demokratike.
“Jo nuk jam kandidat. LDK’ja ka arritë që të formojë një konsensus për ecjen tutje. Për dallim prej partive ku gjithçka dihet para procesit, në LDK gjithçka është demokratike. Kështu do të duhej të ishte në të gjitha partitë. Përballja e LDK’së nuk është brenda, por jashtë më partitë e tjera politike”, ka thënë Abdixhiku për T7.
Abdixhiku ka folur edhe për incidentet nëpër kuvendet zgjedhore. Ai ka thënë se këto incidente nuk mund ta dëmtojnë imazhin e LDK’së.
Ndërkohë, në njoftimin me të cilin i fton mediat që të përcjellin këtë aktivitet, i cili mbahet sot, në orën 10:00, bëhet me dije se mediat mund të marrin vetëm pamje në hyrje të hotelit ku mbahet ky Kuvend.