×
  • Lajme
  • Lajme / 9 Shkurti

    Abdixhiku: Koha jonë ka ardhur, e me të dhe vet ndryshimi

    Reporteri
    26 Tetor 2024 | 21:03

    “Koha jonë ka ardhur, e me të dhe vet ndryshimi!”, kështu tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në organizimin e Forumit Rinor të kësaj partie në Gjilan.

    Abdixhiku thotë se energjia rinore është frymëzim e vendosmëri për ndryshimin e madh që thotë se do ta bëjnë bashkë.

    “E ardhmja nuk pritet! Ajo bëhet. Dhe bëhet duke ndryshuar të tashmen me rininë e shkëlqyeshme që ka Kosova!

    Kjo rini kosovare meriton perspektivë, meriton mundësi; meriton vende pune, jetë të mirë e të ardhme të dinjitetshme në Kosovë – në atdheun e tyre e në shtetin që do ta bëjnë! Këtë do t’ua ofrojmë!

    Lidhja jonë është e fuqishme dhe është e pandalshme. Koha jonë ka ardhur, e me të dhe vet ndryshimi!”,  ka thënë Abdixhiku.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

    Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

    Një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, kishte dështuar.

    Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!