×
  • Lajme
  • Lajme / 25 vjetori Betejës

    Abdixhiku: Kosharja është shenjë rikujtim se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj Kosovës

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 14:11

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kujtuar dëshmorët në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, shkruan Reporteri.net.

    Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se 25 vite më parë djemt dhe vajzat e UÇK-së nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar, duke nisur kështu një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare.

    “Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët”, shkruan ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Një çerek shekulli nga beteja e madhe e Koshares. Sot, me të gjallët triumfalistë, nderuam të rënët e përjetësisë. 25 vite më parë, në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare, nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar. Me këtë akt, ata nisën dhe një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të.

    Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët.

    Sot, nderojmë gjithë të rënët; falënderojmë gjithë të gjallët. Sot, kujtojmë të 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë, na kujtojnë se sa rëndë peshon liria, se mbi çfarë sakrifice të shtrenjtë të djemve e vajzave të UÇK-së – gjeneratat e sotme e përjetojnë shtetësinë.

    Sot, kujtojmë dhe nderojmë po ashtu francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider.

    Familjarët e Francesco Giuseppe Bider patëm nderin t’i takojmë sot pran varit të tij. Me mburrje, i vëllau, na tregoj dhe kapelën ushtarake të gjyshit e babait të tij; që qëndronte pranë një plisi shqiptar – si trashëgimi familjare. Francesko ishte vullnetar në Koshare. Ai ra, për lirinë tonë e breznive që vijnë!

    Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës.
    Lavdi dëshmorëve!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!