Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me bastisjet e sotme me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe intervistimin si i dyshuar të Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Pecit dhe Kryeshefit të AUV’it, Bekim Hoxha, lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Abdixhiku ka thënë se “paratë e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend”, do të kthehen cent më cent, shkruan Reporteri.net.
“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve. Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë”, ka shkruar Abidxhiku,
Në mbrojtje Pecit sot i kanë dalë Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Në postimin e tij, Abdixhiku ka folur edhe për këto reagime, duke thënë se po mbrohet hajnia vetëm sepse “hajni është i tyre”.
“Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë. Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!”, ka shkruar ai.
Peci dhe Hoxha janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimeve.
Intervistimi i tyre është bërë pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net