Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, një prej figurave kyçe të historisë politike të Kosovës dhe ndër themeluesit e LDK-së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes Bukoshi, Abdixhiku theksoi rolin jetik që Bukoshi kishte në periudhat më të vështira për vendin, duke e cilësuar atë si mishërim të përkushtimit atdhetar dhe të angazhimit të palëkundur për liri dhe shtetformim.
“Jeta dhe veprimtaria e tij janë mishërim i përkushtimit atdhetar dhe angazhimit të palëkundur politik për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës,” thekson Abdixhiku në mesazhin e tij.
“Me vizion dhe guxim, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin tonë drejt lirisë,” shtoi Abdixhiku.
Në mesazhin e tij, kreu i LDK-së vlerëson se figura e Bukoshit do të mbetet përherë pjesë e pandashme e historisë shtetformuese të Kosovës, duke theksuar se kujtimi për të do të jetojë ndër breza.
Në emër të tij personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdixhiku u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Dr. Bujar Bukoshin. I lehtë qoftë dheu i Kosovës!”, përmbyllet mesazhi i ngushëllimit.
/Reporteri.net/