Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpalosur 50 zotimet e para të “Rrugës së Re”.
“Pas gjithë dëgjimit të bërë për më shumë se dy vjet, është koha të flasim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, duke bashkangjitur 50 foto të projekteve konkrete të programit të partisë.
Rritja ekonomike për 4-5 % në vit, rritja e koeficientit të pagës, Gazifikimi i Kosovës, ndërtimi i Qendrës së Spitalore në Prishtinë, ndërtimi i autostradave të Gjilanit dhe Pejës dhe përfundimi i magjistraleve për Mitrovicë dhe Podujevë brenda pak muajve, sigurimet shëndetësore, janë disa nga zotimet e programit “Rruga e Re”.
“Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane”, ka shtuar Abdixhiku.
I pari i LDK-së, tha se në vijim do të prezantojnë edhe 50 projektet tjera të “Rrugës së Re”.
“Ato janë të elaboruara në një program voluminoz e të detajuar, i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti. Ju ftoj t’i lexoni ato. Të jepni mendimet tuaja për to. Të diskutojmë bashkërisht për to, e në raste dhe t’i pasurojmë ato. ‘Rruga e Re’ fundja do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, duke ia bashkuar shkrimit edhe fotografitë ku prezantohen pikat e programit.
“E ardhmja jonë është e ndritshme. ‘Rruga e Re’ na shpie atje. Ne kemi gjetur rrugën përpara; është koha ta bëjmë të njëjtën së bashku”, përfundon statusi i kreut të LDK-së.