×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi politik

    Abdixhiku shpalos sot planin 15 pikësh të LDK-së për Qeverinë e Unitetit

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 7:38

    Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta shpalosë sot planin 15 pikësh për qeverinë gjithëpërfshirëse.

    LDK-ja në komunikatë ka njoftuar se kreu i partisë do ta shpalosë agjendën 15-pikëshe në një konferencë për media të enjten nga ora 11:00.

    “Nesër (e enjte), më datë 12 qershor, në orën 11:00, Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie, ku kryetari Abdixhiku shpalosë agjendën 15 pikëshe të Qeverisë së Unitetit Kombëtar”, u tha në njoftimin e LDK-së.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte thënë se ky plan është përmbajtja e vetme për dalje nga ngërçi i krijuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas Abdixhikut, ky është “një dokument që jep drejtim, kthjelltësi dhe qëllim vet unitetit; deri në zgjedhje të reja parlamentare”.

    “E propozova sepse shteti është bllokuar. Sepse nuk ka Kuvend funksional. Sepse nuk ka Qeveri funksionale. Sepse nuk ka përfaqësim legjitim. Sepse, mbi të gjitha, nuk ka asgjë tjetër të sinqertë që po ndodhë në prapaskenë, që na dërgon drejt një përafrimi e një zgjidhje – çfarëdo qoftë ajo”, kishte shkruar Abdixhiku.

    Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare, vendi gjendet në një krizë politike me moskonstituimin e Kuvendit, për shkak se kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetare të parlamentit, Albulena Haxhiu, s’po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për këtë pozitë.

    Përderisa VV-ja insiston në Haxhiun, partitë e tjera kanë kërkuar që kandidatja të ndërrohet dhe të propozohet dikush që sipas tyre do të jetë më e pranueshme. Ndërkohë që kjo nuk po ndodh, Kuvendi po vazhdon me seanca çdo 48 orë. Dje ka dështuar edhe seanca e 30-të me radhë në këtë drejtim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!