Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Gjatë takimit Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Orav për gjendjen aktuale politike me theks të veçantë lidhur me procesin zgjedhor, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.
Abdixhiku theksoi se LDK e respekton në plotni vullnetin qytetar të shprehur gjatë këtij procesi zgjedhor dhe po ashtu pret që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbyllë sa më shpejt procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve, duke theksuar se është shumë e rendësishme që ky proces të përfundojë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur çdo vonesë tjetër.
Në fund kryetari Abdixhiku tha se LDK do të angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovë me theks të veçantë në përmbylljen e proceseve të integrimit evropian.
Me ambasadorin e BE-së gjatë ditës së sotme është takuar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi pas takimit tha se këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë tonë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës.
“Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet. PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, ka shkruar kreu PDK-së në Facebook./Reporteri.net/