Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të LDK-së Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Sipas njoftimit të LDK-së, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë mos-konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qëndrimet e LDK-së lidhur me këtë situatë.
Në këtë kontekst, LDK thotë se kryetari Abdixhiku ritheksoi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie të Unitetit, si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për tejkalimin e ngërçit aktual politik dhe rikthimin e funksionalitetit të institucioneve të vendit.
“Ai nënvizoi se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, ndërsa dështimi për të 27-tën herë me radhë për krijimin e shumicës parlamentare dëshmon paaftësinë e partisë fituese për të siguruar stabilitet qeverisës. Kjo situatë përbën një rrezik serioz për mirëqenien e qytetarëve dhe për ecurinë normale të proceseve shtetërore”.
“Kryetari Abdixhiku dhe Ambasadori Malaj ndanë qëndrimin e përbashkët për domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si një shtyllë themelore për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përparimin e përbashkët të dy vendeve.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar për ndërtimin e urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
/Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.