Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës.
Tutje, Abdixhiku ka vlerësuar se pa ShBA-të, ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsilidim ndërkombëtar, është e pamundur.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatin tonë strategjik të së shkuarës e të së ardhmes! Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane! Rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, ka shkruar Abdixhiku.
“Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka përfunduar ai.
/Reporteri.net/.