Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me reciprocitetin ndaj Serbisë, duke e quajtur një mashtrim.
Ai siç e quan Kurtin, kryeministri mashtrues, sipas tij jo vetëm që ka shkelur reciprocitetin por ka toleruar shkeljen e sovranitetit në komunat veriore të Kosovës dhe ka shpërfillur pa fije turpi gjendjen e rëndë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, shkruan Reporteri.net.
Tahiri thotë se Kurti, për 50 ditë, jo vetëm që shkeli Kushtetutën e vendit, jo vetëm që dështoi në ruajtjen e integritetit të Kosovës në gjithë territorin e saj, por edhe anashkaloi e shpërfilli Luginën e Preshevës, në një prej rrethanave më të vështira e të rënda që rrezikon të përballet ajo në këtë periudhë pandemie.
Postimi i tij:
Për më shumë se dhjetë vite, Albin Kurti ka insistuar se dhënia dhe zbatimi i të drejtave të serbëve në Kosovë duhet të kushtëzohet me dhënien dhe zbatimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Duke i cilësuar si një prej pakicave më të shtypura në Evropë, Albin Kurti, për vite me radhë, mes tjerash, ka ngritur edhe çështjen e largimit të mjekëve e mësuesve nga kjo hapësirë si pasojë e diskriminimit sistematik nga ana e Serbisë. Ai vazhdimisht iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës për ta zgjidhur këtë çështje.
Para pak ditësh, ndërkaq, Albin Kurti jo vetëm që dështoi të ofrojë një kujdes sado të vogël për Luginën e Preshevës, por ai dështoi tërësisht për ruajtur integritetin shtetëror të Kosovës duke toleruar zbatimin e masave të Serbisë e Vuçiçit në hapësirën veriore të vendit. Për më shumë, ai ka lejuar edhe zyrtarisht ardhjen e dhjetëra mjekëve nga Serbia për tu kujdesur për serbët në komunat veriore të Kosovës në rrethanat e krijuara nga COVID19. Megjithatë, ai nuk e kushtëzoi ardhjen e mjekëve nga Serbia me dërgimin e mjekëve të Kosovës në Luginën e Preshevës, ashtu siç do të kërkonte edhe parimi i reciprocitetit, edhe nevoja reale e shqiptarëve në Luginë.
Kjo tregon dështim, mashtrim dhe nënshtrim. Kjo, jo që nuk ka lidhje me reciprocitetin por është edhe injorim absolut e fyerje e madhe për të gjithë Luginën e Preshevës. Pra, Kryeministri mashtrues jo vetëm që ka shkelur reciprocitetin por ka toleruar shkeljen e sovranitetit në komunat veriore të Kosovës dhe ka shpërfillur pa fije turpi gjendjen e rëndë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ky fakt tregon vetëm diçka: 50 ditë qeverisje mund të mos jenë të mjaftueshme për të bërë ndryshime të mëdha në vend, por janë krejtësisht të mjaftueshme për të shkelur çdo parim e premtim dhe për të dëshmuar se çdo moralizim për më shumë se një dekadë, ka qenë vetëm mbulesë demagogjike për ardhjen në pushtet me çdo kusht dhe mbajtjen e tij me çfarëdo çmimi.
Thënë shkurt: për 50 ditë, Kryeministri në largim jo vetëm që shkeli Kushtetutën e vendit, jo vetëm që dështoi në ruajtjen e integritetit të Kosovës në gjithë territorin e saj, por edhe anashkaloi e shpërfilli Luginën e Preshevës, në një prej rrethanave më të vështira e të rënda që rrezikon të përballet ajo në këtë periudhë pandemie.
https://www.facebook.com/OfficialAbelardTahiri/posts/509890589687551