Analisti nga Shqipëria, Adri Nurellari, thotë se Albin Kurti dhe as Vjosa Osmani nuk kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhjet e parakohshme.
“Osmani është një ndër personat më pak konsensualë pasi tradhtoi partinë e saj. Ajo që bën diferencën është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Padia e Vetëvendosjes është një kurth që ajo ka ngritur vetë. Albin Kurti nuk ka të drejtë të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme. Jo vetëm Kurti, por as zonja Osmani nuk kanë të drejtë të kandidojnë në këto zgjedhje”, tha ai.
Ai thotë se Kosova është zhytur në destabilitet, pasi qeveritë Hoti dhe Kurti ishin të paafta për t’u përballur me sfidat e vendit.
“Kjo dëshmon një dështim të atij që u trumbetua si koalicion i shpresës, një mashtrim në opinionin e Kosovës, sikur VV e LDK do të krijonin stabilitet institucional dhe politik, si dhe do të sillnin kthesë radikale, por e kundërta ndodhi, Kosova është zhytur në destabilitet. Qeveritë Kurti dhe Hoti nuk kanë qenë funksionale, ishin të paafta për t’u përballur me sfidat e vendit dhe dështuan në mënyrë banale”, tha ai në A2 CNN.
Sipas Nurellarit, zgjedhjet e parakohshme janë një lajm i mirë për PDK-në dhe shpresa është që këto zgjedhje të sjellin zgjidhje konkrete.