×
  • Lajme
  • Lajme

    Adriana Hoxhiq u përgjigjet reagimeve për emërimin e saj si ministre, i quan akuza politike

    Reporteri
    13 Prill 2019 | 12:45

    Adriana Hoxhiq u emërua gjatë ditës së djeshme në postin e ministres së ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.


    Hoxhiq në këtë pozitë vije pas shkarkimit të Ivan Teodosijeviq, i cili u shkarkua pas fyerjeve raciste ndaj shqiptarëve, dhe deklaratave për masakrën e Reçakut.

    Mirëpo, menjëherë pas emërimit të Hoxhiq ka pasur reagime të mëdha në drejtim të saj, të cilat pretendojnë se ishte pikërisht ministrja në ardhje e cila ka qenë në përkrahje të Listës Serbe dhe se ka qenë kundër kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre.

    E vetë Hoxhiq në një deklaratë të dhënë për lajmi.net është kundërpërgjigjur ndaj reagimeve dhe pretendimeve që kanë ardhur ndaj saj. Duke i quajtur politike, Hoxhiq ka thënë se të gjitha këto reagime kanë qëllime të caktuara.

    “Të gjitha ato reagime janë politike dhe unë besoj që janë për qëllime të caktuara meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve lokale në Mitrovicën Veriore. Ato deklarata nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën”, ka thënë në fillim Hoxhiq.

    Ajo i është kundërpërgjigjur dy ish-kandidatëve të PDK-së në Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut, Valdete Idrizit dhe Gonxhe Çaushit, duke thënë se me të dyjat ka pasur bashkëpunim në të kaluarën.

    “Unë zonjën Valdete Idrizi e kam një shembull të mirë dhe ajo ka qenë një shembull që mua më ka jep kurajo që unë me vazhdu me punu se si ka punuar ajo. Unë e përgëzoj për të gjithë punën që ajo e ka bërë edhe si OJQ edhe si subjekt politik dhe i dëshiroj suksese më të mëdha”, ka thënë ajo.

    “Sa i përket Gonxhes, edhe me të kam bashkëpunuar, ajo është ende asambliste në Mitrovicën e Veriut. Është një politikane e reja, besoj që ka me ardhë kohë që edhe ajo do të shkëlqejë. Të dyja ato e dijnë që unë e besoj bashkëjetesen e jetoj bashkëjetesen dhe asnjëherë me secilin gjest që e kam bërë unë kam dhënë rezultate që shihen”, ka thënë tutje Hoxhiq.

    Tutje, ministrja e re ka thënë se sipas saj ajo ka treguar se mbështet bashkëjetesen e etniciteteve dhe se nuk qëndrojnë argumentet e dhëna.

    “Komuna e Mitrovicës Veriore është e vetmja që ka staf multietnik në secilin nivel të qeverisjes. Edhe drejtorët i kemi nga minoritetet, siç është nga minoriteti boshnjak. Unë me argumente të gjalla kam treguar se e mbështes bashkëjetesen dhe i respektoj të gjitha etnicitetet”, ka thënë tutje ajo.

    Hoxhiq për lajmi.net ka folur edhe për kthimin e serbëve në Kroin e Vitakut në Mitrovicën e Veriut, për të cilin proces ka thënë se është politizuar, dhe se kjo sipas saj është arsyeja se pse nuk ka pasur rezultat.

    “Sa i përket kthimit në Kroin e Vitakut, Adriana Hoxhiq asnjëherë nuk ka qenë dikush i cili krijon politika, unë nuk ndërtoj politika, unë kam qenë edhe jam në ekzekutiv. Politikat të cilat i ndërtojnë politikanët ato vetëm zbatohen përmes ekzekutivit. Procesi i kthimit në Kroin e Vitakut është politizuar edhe për këtë arsye nuk ka pasur rezultat. Unë nuk jam përgjegjëse për këtë punë. Ju e dini që procesi është marrë nga niveli qendror. Unë vetëm më një takim kam qenë si përkthyese dhe nuk jam përzier në atë proces”, ka thënë ajo.

    Sipas Hoxhiq, kthimi i shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur, dhe se ka ndodhur me përkrahjen e saj.

    Ajo thotë të mos ketë folur publikisht për këtë çështje sepse nuk ka dashur që kjo çështje të politizohet.

    “E dyta, kthimi i shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur , dhe ka ndodhur me përkrahjen time edhe ka pasur rezultat të mirë vetëm se nuk kam lejuar që të politizohet. Unë asnjëherë nuk kam folur për këtë çështje publikisht sepse nuk kam dashur t’i rrezikojë njerëzit të cilët janë kthyer dhe jetojnë në veri”, ka thënë ajo.

    Hoxhiq shprehet se këto deklarata kanë tentime politike dhe se viktima të tyre sipas saj janë vetëm qytetarët e Kosovës.

    Siç shprehet ajo, kthimi i shqiptarëve në pronat e tyre është një proces shumë i ndjeshëm, dhe se ka sukses vetëm nëse rezulton me kthimin e të gjitha komuniteteve.

    “Unë jam shumë e bindur që këto deklarata kanë tentim politik. Dhe është keq se i kemi qytetarët të cilët janë viktima në këto procese. Leni njerëzit rehat sepse është më të vërtet se njerëzit tash e sa vite nuk jetojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë ajo.

    “Unë besoj që procesi i kthimit është një proces sensitiv që kërkon punë serioze, dhe nëse do të ishte proces i tillë që rezulton me kthimin e të gjitha etniciteteve, atëherë kjo do të ishte e suksesshme. Unë nuk kam përkrahur ndonjë opsion politik”, tha tutje ajo.

    Hoxhiq në fund ka folur edhe për postin e ri të saj të cilin ka thënë se do ta ushtrojë me përgjegjësi të plotë dhe se do të jetë afër të gjitha komunave e komuniteteve.

    Kujtojmë, se menjëherë pas shkarkimit të minsitrit nga Lista Serbe, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet ndaj tij për gjuhë të urrejtjes

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!